Teatri “Adriana” në Ferizaj, është në fazën e fundit të përgatitjeve për organizimin e ”Festivalit të Teatrove”, i cili fillon më 21 tetor.
Në edicionin e 48-të të këtij festivali do të marrin pjesë shtatë shfaqje konkurruese, të cilat do të prezantohen nga trupat teatrore të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Drejtori i teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni, bëri të ditur se gjatë 8 netëve sa do të zgjas festivali do të ketë mysafirë të shumtë nga vendi dhe rajoni.
“Të gjitha përgatitjet janë kah përfundimi, normal që teatri gjithmonë ka punë deri kur fillon festivali pasi ka kërkesa të ndryshme, mund të ndodhë ndonjë ndryshim. Janë shtatë shfaqje konkurruese, është Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gjilanit, i Prizrenit, Teatri i Ferizajt, Teatri i Kumanovës, është një koproduksion i teatrit të Korçës dhe Tiranës, këto konkurrojnë për 10 çmime, aktivitetet përcjellëse të festivalit si gjithnjë do të ketë tryeza, seminarë, do të ketë performanca nga të rinjtë në rrugë për teatrin dhe kryesisht do të jetë festë”, tha Hyseni.
Hyseni, tha se e veçantë e këtij edicioni është shfaqja “Le Pont” nga Franca e cila është jashtë konkurrencës, ku pjesë e saj janë edhe dy aktorë shqiptar.
“Është një shfaqje jashtë konkurrence prej France, është shfaqje mysafire dhe prezantohet për herë të parë në Kosovë, është me aktorë shumë të mëdhenj shqiptar janë Rexhep Mitrovica dhe Arben Bajraktaraj dhe duke marrë parasysh që Rexhep Mitrovica asnjëherë nuk ka luajtur në Kosovë dhe të gjithë artdashësit kanë dëshirë ta shohin njëherë, sepse ai ka bërë një karrierë në Francë dhe nuk e kanë parë asnjëherë duke luajtur në Kosovë”, tha Hyseni.
Hyseni, njoftoi se akoma nuk kanë vendosur se me çfarë shume financiare do të shpërblehet çmimi i parë, por tha se shuma do të jetë më e lartë se viteve të tjera. Po ashtu, theksoi se për përbërjen e jurisë dhe çmimin e biletave të këtij festivali, do të vendoset në një mbledhje të ardhshme.