Connect with us

Kosovë

Stoltenbergu takon Kurtin dhe Vuçiqin para takimit të tyre në Bruksel

Published

on

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 17 gusht do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këto takime do të mbahen vetëm një ditë para rundit të ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Sipas njoftimit për media nga aleanca ushtarake e NATO-s, Stoltenberg fillimisht do të takohet me Vuçiqin dhe më pas me Kurtin.

Pas çdo takimi të ndarë janë paraparë të mbahen edhe konferenca për media.

Takimi në Bruksel me Stoltenbergun do të mbahet tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht bllokuan rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, për të shprehur kundërshtimin e tyre lidhur me vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentet serbe.

Më 31 korrik, NATO tha se misioni i saj në Kosovë, KFOR, ishte i përgatitur të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti në vend.

Të njëjtën deklaratë e bëri edhe shefi i aleancës, Stoltenberg gjatë një bisede që ka zhvilluar me Vuçiqin më 3 gusht.

Por, pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, Qeveria e Kosovës tha se do të shtynte zbatimin e vendimeve për 30 ditë, kur të hiqen barrikadat e vendosura dhe barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit.

Ndërkaq, më 18 gusht, sipas ftesës së dërguar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në rundin e dialogut do të bisedohet për “të gjitha çështjet e hapura” midis Kosovës dhe Serbisë. Por, nga BE-ja ende nuk kanë dhënë detaje për agjendën e takimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për REL-in, tha se në rundin e ri të bisedimeve nuk do të diskutojë për dy vendimet që u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Vendimi për dokumente ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Këtë praktikë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e targave të makinave me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia. Targat sikurse KM, PZ, UR e të ngjashme përdoren në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe nga Prishtina konsiderohen ilegale.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në dialogun e Brukselit korrikun e vitit të kaluar. Ditë më parë, presidenti serb deklaroi se është skeptik se mund të arrihet ndonjë rezultat në takimin e 18 gushtit./REL

Kosovë

Rëndohet situata energjetike pas rënies së dy blloqeve të KEK-ut

Published

on

Prodhimi i energjisë elektrike në vend është rënduar ndjeshëm në 24 orët e fundit, pasi dy blloqe të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) janë ndalur për shkak të rrjedhjeve të ujit ndërsa dy të tjera tash e një kohë janë jashtë funksionit për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar.

Në njoftimin e KEK-ut bëhet e ditur se Blloku A3 i Termocentralit “Kosova A” i cili prodhon rreth 120 MW është ndalur mbrëmë në mesnatë (08.04.2025, ora 23:59), si pasojë e problemeve të ndjeshme me humbje të ujit dhe ndalja e këtij blloku është bërë për të shmangur defekte më të mëdha.  

Kurse mëngjesin e sotëm për arsye të ngjashme është ndalur edhe blloku B2 i Termocentralit “Kosova B”, i cili prodhon rreth 250 MW por njëkohësisht edhe furnizon me ujë ngrohjen qendrore në Prishtinë.

Sipas KEK-ut, rikthimi në funksion i këtij blloku pritet të zgjasë rreth 48 orë.

Aktualisht në KEK janë duke u prodhuar vetëm 115 MW nga 900 MW sa është kapaciteti i tërësishëm i termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Continue Reading

Kosovë

Kurti i propozon Abdixhikut takim për të mërkurën ose të enjten

Published

on

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një letre zyrtare ka ftuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një takim në prag të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Në letrën e publikuar në media, si datë e mundshme e takimit është propozuar 9 përkatësisht data 10 prill.

“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe Presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025.

Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, shkruhet në letër.

Ende nuk dihet nëse Albin Kurti i ka dërguar të njëjtën letër edhe ndonjë subjekti tjetër parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Continue Reading

Kosovë

Arrestohen 12 aktivistë në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar 12 aktivistë të grupit qytetarë “Asnji cent më shumë” të cilët mëngjesin e sotëm bllokuan dyert e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në shenjë proteste kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“ZRRE-ja është në bllokadë. Bllokimi do të vazhdojë deri në zotimin publik nga ZRRE se nuk do ta miratojë rritjen e çmimit të rrymës për 15%. Vetëm atëherë mund t’i kthehen punës”, thuhet në lajmërimin e kësaj iniciative në Facebook.

Përkundër kundërshtimeve të shumta, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka paralajmëruar mbajtjen e mbledhjes për vendimin mbi propozimin e shtrenjtimit të rrymës për 15%.

Në mesin e mbi 600 komenteve të dërguara në ZRRE, është theksuar se një shtrenjtim i tillë do të sillte barrë të madhe për qytetarët dhe ky veprim do të mund të shkaktonte valë të re inflacioni në vend, që njëkohësisht do të ndikonte drejtpërdrejt në rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve.

Edhe në komentet e dërguara nga Zyra e Presidentes së Kosovës, është propozuar largimi i  TVSH-së prej 8 % nga faturat e energjisë elektrike, mirëmenaxhimi i shpenzimeve dhe i humbjeve, subvencionimi i energjisë, identifikimi i masave shtesë për obligimin e pagesës së faturave mujore në veri, dizajnimi dhe prezantimi i programit të shtyrjes së pagesave.

Continue Reading

Trending