Shoqata e mësimdhënësve të gjuhës angleze, ka filluar edicionin e dytë të garave në lëndën e gjuhës angleze. Ky aktivitet i cili ka për qëllim identifikimin e talentëve dhe rritjen e interesimit të të rinjve për gjuhën angleze, sivjet ka 257 konkurrent nga 38 shkollat e Ferizajt.
Kryetarja e shoqatës së mësimdhënësve të gjuhës angleze Ardita Çerkini, tha se e veçanta e këtij edicioni është se sivjet pjesë e garës janë edhe nxënësit me nevoja të veçanta.
“Ka filluar edicioni i dytë i garave të gjuhës angleze në komunën tonë, janë gjithsej 257 pjesëmarrës prej 38 shkollave të Ferizaj, karakteristikë e kësaj dhe ndryshim nga edicioni i kaluar është se janë përfshirë edhe personat me nevoja të veçanta, kjo garë do të zgjat 10 javë, 5 javë përfshijnë muajin tetor dhe nëntor, ndërsa 5 të tjera do të realizohen në mars-prill. Gara është me sistem eliminues, mbledhen pikë të atyre që bëjnë më së shumti, ndërsa eliminohen ata që bëjnë pikë më pak, janë të përfshira klasët e 7-ta, 8-ta dhe 9-ta, gara nuk është në bazë planit lëndor sikurse në shkollë, por shprehen njohuritë e përgjithshme të gjuhës angleze, ne tashmë e kemi përvojën nga viti i kaluar dhe besoj se do të shkoj mirë”, tha ajo.
Këtë garë po e mbështet edhe Drejtoria e Arsimit në Ferizaj.
“Ne edhe në edicionin e parë jemë treguar bashkëpunues me shoqatën e gjuhës angleze, sepse kemi parë se është një garë interesante dhe unike dhe kështu që ne e kemi parë rëndësinë e saj dhe nivelin edukativ që ka dhe kështu kemi qenë mbështetës të saj dhe do të jemi jo vetëm këtë vit, por çdo vit dhe jo vetëm për këtë shoqatë, por të gjitha shoqatat të cilat janë të interesuara për të organizuar gara të këtij niveli ne do të jemi mbështetës dhe përkrahës”, tha Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj.
Tringa Begu, fituese e edicionit të kaluar, tha se pjesëmarrja në këtë garë ka qenë eksperiencë mjaftë e mirë.
”Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme, për 10 javë jemi ballafaquar mbi 200 nxënës dhe ka qenë garë që ka ngërthy emocione deri në momentet e fundit, unë e kam fituar çmimin e parë që ka qenë 300 euro, mirëpo 50 euro ia kam dhuruar vendit të tretë dhe 50 të katërtit. Nxënësve të këtij edicioni ju uroj suksese dhe uroj të fitoj më i miri”, tha Begu.
Kjo garë e cila monitorohet nga 8 mësimdhënës finalen do ta ketë më 20 prill të vitit të ardhshëm, me 5 finalistët me të mirë, ku vendi i parë do të shpërblehet me 300 euro, vendi i dytë me 150 euro dhe vendi i tretë me 50 euro.