Connect with us

Kosovë

Veteranët paralajmërojnë protestë: Nëse eskalon situata, përgjegjësia bie mbi Kryeministrin dhe Qeverinë

Published

on

Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) insistojnë të përfshihen në projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, në të kundërtën do të dalin për të protestuar para Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i shoqatës së Familjarëve së Dëshmorëve, Xhavit Jashari thotë për KosovaPress se protesta do të jetë forma e parë përmes së cilës do të kundërshtojnë miratimin në lexim të dytë të këtij projektligji, derisa shton se nuk do të mbajnë përgjegjësi nëse protesta do të dalë jashtë kontrollit.

Ai shton se përgjegjësia bartet të qeveria dhe jo të veteranët të cilët, sipas tij, po i kërkojnë të drejtat e tyre.

Qeveria thotë se paga minimale dhe benefecioni i veteranëve janë çështje të ndara ndërsa insiston në një ligj të ri me lista të pastruara dhe më pas edhe mundësi që kjo kategori të trajtohet, dinjitetshëm.

Ndërkaq, veteranët kanë protestuar dy herë para qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar mospërfshirjen e tyre në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë pagën minimale.

Jashari thotë se të njëjtin veprim do ta ndërmarrin në ditën kur në seancën e Kuvendit do të dalë për votim në lexim të dytë ky projektligj.

“Ne do të protestojmë, ne do të kundërshtojmë, do të konsultohemi edhe me organet tona drejtuese, Organizata e Veteranëve dhe shoqatat, në këtë rast Invalidëve dhe Familjeve të Dëshmoreve, dhe forma e parë do të jetë protesta. Nuk garantojmë nëse eskalon situata sepse është qeveria dhe kryeministri në këtë vend që po e bën një veprim për të ardhur deri këtu dhe mendoj që përgjegjësitë bien mbi atë që shkakton problemet dhe jo ata që kërkojnë të drejtat e tyre”, thotë Jashari.

Sipas tij, nuk do të lejojnë të degradohet sakrifica dhe vlera e veteranëve të UÇK-së dhe shton se kjo kategori vazhdon të jetë e nëpërkëmbur.

“Duhet ta kuptojë edhe kryeministri, edhe qeveria, edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, që nuk ndodh kjo pse nuk po rritet një benificion dhe po insistohet që t’i mohohet e drejta veteranëve të luftës në benificionin e tyre që është baza e saj, është paga minimale në Kosovë, por nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët lufta e lavdishme e UÇK-së që është vlerë e secilit dhe me këtë rast dua t’ju bëj thirrje edhe qytetarëve por edhe institucioneve të Republikës së Kosovës që të jenë të kujdesshëm në këtë pikë sepse lufta e UÇK-së gjithë ata që e gëzojnë sot lirinë dhe është vlerë e secilit dhe si e tillë duhet të ruhet”, thotë ai.

Pas protestës së dytë të veteranëve të mbajtur në muajin qershor, përfaqësuesit e organizatave ishin pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti, i cili kishte propozuar hartimin e një ligji të ri për veteranët dhe nisjen e procesit të vlerësimit dhe verifikimit të pjesëmarrësve të luftës.

Jashari thotë se asnjë verifikim nuk mund të bëhet pa përfunduar procesi gjyqësor për veteranët, i kthyer në rigjykim nga Apeli.

“Ne nuk i frikësohemi verifikimit, as komandantët e zonave, as përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta edhe pse fuqia jonë nuk ka qenë që t’i nënshkruajmë, t’i japim dikujt të drejtën ose të ua mohojmë të drejtën që kanë dhënë kontributin e në luftën e UÇK-së, por sa herë të kthehet prapë do të jetë i njëjti organ, i njëjti institucion, që do ta bëjë vlerësimin dhe riverifikimin dhe mendoj që nëse dikush i ka nënshkruar dikujt që nuk e meriton ai duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë, ose nëse dikujt ja ka mohu prapë duhet të përgjigjet… Asnjë rivlerësim dhe asnjë verifikim nuk mund të bëhet pa përfunduar procesi gjyqësor që është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit”, shton Jashari.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve i bën thirrje kryeministrit të vendit që të trajtojë me kujdes çështjet që lidhen me veteranët meqë, sipas tij, kjo kategori duhet të marrë trajtim të dinjitetshëm.

Ai thotë se Kurti nuk duhet të mbajë në qeveri ministra si Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla, që sipas tij janë deklaruar kundër vlerave të luftës.

“Do të insistojmë që njerëzit e papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm që nuk kanë vlerë, mandej i fyejnë këto vlera, siç e kemi rastin e Hekuran Muratit dhe Donika Schëarz që të mos jenë pjesë e qeverisë. Ne insistojmë që të civilizohen dhe ta rrisin një kulturë të përmasës kombëtare, që njerëz të tillë që fyejnë vlerën mbi të cilën vlerë kanë ardhur ata dhe sot i gëzojnë këto pozicione në cilin do institucione, që të mos jenë pjesë e këtyre institucioneve, sepse rrugëtimi ynë do të vështirësohet me njerëz të tillë të papërgjegjshëm të pandërgjegjshëm… Mendoj që të korrigjohen në të kundërtën është detyrë e kryeministrit të Kosovës që brenda qeverisë të mos ketë njerëz të tillë që udhëheqin dikastere shumë të rëndësishëm për të zgjidhur problemet e qeverisë”, përfundon Jashari.

Ndryshe, më 14 qershor 2022 Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim projektligjin i cili parasheh rritjen e pagës minimale në 250 euro neto nga 130-170 sa është aktualisht. Ky projektligj përjashton rritjen e pensionit të veteranëve në lartësi të pagës minimale dhe në rast të miratimit në lexim të dytë, veteranët do të vazhdojnë të marrin pensionin në vlerë prej 170 eurosh.

Kosovë

Shtrenjtohet rryma, tarifat e reja nga 1 maji

Published

on

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) i ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale duke i hapur kështu rrugë shtrenjtimit të rrymës.

Në takimin e sotëm të këtij bordi nuk u bë e ditur përqindja e rritjes por ZRRE-ja tha se për këtë do të njoftojë ditëve në vijim derisa tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj.

Sipas Radio Evropa e Lirë, çmimi i rrymës do të rritet deri në 16 %.

Ndërkohë, nën moton “Asnjë cent më shumë”, në Prishtinë ka filluar protesta e radhës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Continue Reading

Kosovë

Rëndohet situata energjetike pas rënies së dy blloqeve të KEK-ut

Published

on

Prodhimi i energjisë elektrike në vend është rënduar ndjeshëm në 24 orët e fundit, pasi dy blloqe të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) janë ndalur për shkak të rrjedhjeve të ujit ndërsa dy të tjera tash e një kohë janë jashtë funksionit për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar.

Në njoftimin e KEK-ut bëhet e ditur se Blloku A3 i Termocentralit “Kosova A” i cili prodhon rreth 120 MW është ndalur mbrëmë në mesnatë (08.04.2025, ora 23:59), si pasojë e problemeve të ndjeshme me humbje të ujit dhe ndalja e këtij blloku është bërë për të shmangur defekte më të mëdha.  

Kurse mëngjesin e sotëm për arsye të ngjashme është ndalur edhe blloku B2 i Termocentralit “Kosova B”, i cili prodhon rreth 250 MW por njëkohësisht edhe furnizon me ujë ngrohjen qendrore në Prishtinë.

Sipas KEK-ut, rikthimi në funksion i këtij blloku pritet të zgjasë rreth 48 orë.

Aktualisht në KEK janë duke u prodhuar vetëm 115 MW nga 900 MW sa është kapaciteti i tërësishëm i termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Continue Reading

Kosovë

Kurti i propozon Abdixhikut takim për të mërkurën ose të enjten

Published

on

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një letre zyrtare ka ftuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një takim në prag të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Në letrën e publikuar në media, si datë e mundshme e takimit është propozuar 9 përkatësisht data 10 prill.

“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe Presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025.

Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, shkruhet në letër.

Ende nuk dihet nëse Albin Kurti i ka dërguar të njëjtën letër edhe ndonjë subjekti tjetër parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Continue Reading

Trending