Në varrezat e fshatit Slivovë të Ferizajt, familjarë, miq e bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit gazetarit dhe ekonomistit Ibrahim Rexhepi, i cili ndërroi jetë dje në moshën 64 vjeçare. Bashkëpunëtorët e Rexhepit, thanë se ai do të kujtohet gjithmonë si profesionist i vërtetë i gazetarisë dhe ekspert i fushës së ekonomisë.
Ibra ka qenë këshilltari i parë tek unë, bashkëpunëtori më i ngushtë në kabinet dhe me të kemi pas shumë punë në baza ditore dhe ajo që ka me më mungu më së shumti është memoria afatgjate institucionale që ka ka pasur për të gjitha institucionet e Kosovës, kemi pas raste kur e kemi vizitu Trepçën dhe Ibra ka qenë në gjendje me u kthy 40 vjet prapa me i tregu sfidat e problemet që ka pasur Trepça dhe me të vërtet ka qenë shok për ne, por kështu e paska jeta, na ka lënë shumë keq”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.
“Ishte gazetar shumë profesionist e me parime dhe shumë i rregullt me punën që ka bërë, ekspert i çështjeve të ekonomisë e profesionist që i ka ndërtu temat dhe ka gjetur zgjidhje, ka qenë dashamirë, mirëkuptues për të gjithë, po ashtu edhe korporues sa kemi punuar bashkë në “Rilindje”, është humbje e madhe për Kosovën që humbëm Rexhepin”, tha Ramush Tahiri.
“Është pak të thuhet për një gazetar e koleg siç ishte Ibrahim Rexhepi, unë nuk kam pasur rastin të punoj me të, por të takohem me të po shumë shpesh dhe madhështia e tij ishte e dëshmuar, ai dinte të respektonte të gjithë dhe realisht e humbëm një njeri i cili nuk gjendet në komunitetin tonë”, tha Gentiana Begolli, Kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Për ndarjen nga jeta të gazetarit Ibrahim Rexhepi, në Prishtinë sot janë mbajtur dy akademi përkujtimore, njëra nga Aleanca Kosovare e Re dhe tjetra nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.