Avokati beogradas Çedomir Stojkoviq, një aktivist i cili haptazi lobon për integrimet evropiane dhe e kundërshton ndikimin e Rusisë në hapësirën politike të Serbisë, më 1 gusht 2022 i ka bërë thirrje publike Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA) që t’i bëjë publik emrat e të gjithë agjentëve të Rusisë të cilët veprojnë në këtë vend, pasi që sipas tij, ata janë përgjegjës për ngritjen e tensioneve në Kosovë dhe nxitjen e frikës tek serbët e Kosovës.
Në këtë deklaratë publike Stojkoviq shkruan:
“ Më 28 maj 2022, ne i paraqitëm një kërkesë Ambasadës së Federatës Ruse për tërheqjen e 4036 agjentëve të saj nga Republika e Serbisë, në mënyrë që vendi ynë të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e tij në mënyrë sovrane dhe të pavarur, ndër të cilët 27 agjentë janë brenda Qeverisë së Serbisë, shtatë agjentë në Presidencën e Serbisë, 86 agjentë në Ministrinë e Mbrojtjes, 64 agjentë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, 113 agjentë në Agjencinë Informative të Sigurisë (BIA) dhe agjentë të shumtë në sferën publike të veprimit dhe në organizatat fetare në Serbi”.
Sipas Stojkoviq, shërbimet e brendshme të sigurisë të Serbisë nuk e kanë ndërmarrë asnjë hap të vetëm për të penguar veprimet e këtyre agjentëve nga atëherë e deri më sot, dhe se Federata Ruse e ka injoruar këtë kërkesë të tij.
“Javët e fundit është vënë re një koordinim i shtuar i agjentëve rusë në Serbi, i cili kulmoi ditëve të fundit rreth çështjes së Kosovës, ku në sferën publike shpërndanin informacione të rreme për gjoja sulme të planifikuara në Kosovë, gjoja spastrim etnik të planifikuar, të gjitha për të krijuar panik dhe frikë tek qytetarët e Serbisë dhe në këtë mënyrë provokuan konflikte të armatosura në Kosovë”, thekson Stojkoviq.
Ai shtoi se agjentët rusë njëkohësisht janë infiltruar edhe në sistemin e rrjedhës së informacionit nga terreni drejt udhëheqjes politike të Republikës së Serbisë, dhe si rezultat vendimmarrësit nuk kanë informata reale dhe të sakta për ngjarjet në terren, prandaj duhet të mbështeten në informacione nga vende të tjera, gjë që në përgjithësi e rritë ekspozimin ndaj rreziqeve, vendimeve të gabuara dhe përshkallëzimit të armatosur të panevojshëm. Nga ana e tretë, thekson ai, disa vendimmarrës janë nën ndikimin e jashtëzakonshëm të Ambasadës së Federatës Ruse në Beograd.
Ai i bëri thirrje BIA-s që të fillojë të bëjë punën e saj dhe të largojë njerëzit e Putinit nga sistemi i rrjedhës së informacionit, të zbulojë në publik emrat e të gjithë agjentëve rusë në hapësirën publike (analistë politikë, zyrtarë të partive politike, deputetë…), si dhe njerëzit që janë nën ndikimin e tyre.
Në deklaratën publike të tij, Avokati Stojkoviq kërkoi që të ndërmerren veprime për mbylljen e të gjitha llogarive në rrjetet sociale të drejtuara nga Agjencia Ruse për hulumtime në Internet, të cilat nxisin urrejtje kundër qytetarëve të Serbisë dhe nxisin konflikte të armatosura. Ai poashtu kërkoi nga BIA që ta mbrojë Serbinë nga “okupimi informativ i Putinit”.
Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ka marrë sot detyrën e Sekretarit të ri të përgjithshëm të NATO-s. Me një ceremoni solemne në selinë e aleancës në Bruksel, Rutte ka filluar mandati i ri në të cilin e zëvendëson Jens Stoltenbergun pas mandatit 10 vjeçar të tij në krye të kësaj aleance më të madhe ushtarake në botë.
Në konferencën e parë për media si sekretar i NATO-s, si prioritete kryesore Rutte përmendi forcimin e aleancës në reagimin kundrejt sfidave dhe rreziqeve të përbashkëta, ndihma për Ukrainën dhe përballja me sfidat globale.
Sipas tij, rol kyç për aleancën veri-atlantike ka edhe bashkëpunimi me vendet anëtare të BE-së dhe SHBA-të si në forcimin e brendshëm ashtu edhe për mbështetjen e Ukrainës.
Mark Rutte deri në marrjen e detyrës së re, shërbeu si kryeministër i Holandës në periudhën 2010 -2024.
Një përleshje fizike mes deputetëve ka ndodhur më 13.06.2024 në parlamentin e Italisë.
Siç raporton Zëri i Amerikës, Leonardo Donno, deputet i Lëvizjes “5 Yje”, po përpiqej t’i vinte flamurin italian ministrit për Çështjet Rajonale, Roberto Calderoli gjatë një diskutimi mbi projekt-ligjin e diskutueshëm të qeverisë në lidhje me autonomitë lokale.
Incidenti mes këtyre dyve u shndërrua në përleshje masive mes deputetëve të grupeve të ndryshme parlamentare derisa bëhet e ditur se njëri nga pjesëmarrësit në përleshje është larguar nga parlamenti në një karrige pacientësh.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, është plagosur në një atentat pasditen e sotme.
Fico, 59 vjeç, u dërgua në spital pasi ndaj tij u shkrepën katër plumba në stomak dhe gjoks në ngjarjen që ndodhi pranë Shtëpisë së Kulturës së Qytetit, Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislavë.
I dyshuari për plagosjen është arrestuar menjëherë pas të shtënave, raportuan gazetarët të cilët ishin në përcjellje të një aktiviteti të Ficos me mbështetësit .
Fico është kryeministër i Sllovakisë që nga fundi i vitit 2023