Në kuadër të subvencioneve që shpërndan Drejtoria e Bujqësisë, sot në Ferizaj u dhuruan 850 koshere bletësh për 117 përfitues të kësaj komune. Drejtori i Bujqësisë në Ferizaj Burim Bajrami, tha se kjo ndihmë është një mundësi e mirë për fermerët të cilët merren me këtë veprimtari, pasi që u jep një bazë të mirë për të investuar më tutje.
“Unë po besoj se është një hap para që u shërben shumë mirë bletarëve edhe pse participojnë 25 për qind, unë konsideroj se është një aktivitet që ia vlen të bëhet edhe në vitin e ardhshëm. Përndryshe, unë kam takuar edhe bletarët më kanë thënë se sivjet nuk janë shumë të kënaqur për shkak të motit, por do t’ia dalin sepse bujqësia i ka këto pengesa herë pas here“, tha Bajrami.
Ndihma që iu ofrua nga Drejtoria e Bujqësisë, u mirëprit nga bletarët përfitues.
“Unë kam përfituar 24 koshere blete, është një ndihmë e mirë, pak e vonuar, por kryesisht do të na ndihmoj sado pak, është stimuluese, do t’i ndërrojmë me ato të vjetrat”, tha Vllaznim Halili nga Komogllava.
Drejtoria e Bujqësisë njoftoi se pas përfundimit të procedurave të prokurimit do të shpërndajë mështjerra.