Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është takuar me strukturat e kësaj partie në rajonin e Ferizajt, ku u diskutua për punën një vjeçare të degëve të këtij rajoni.
Ai tregoi për objektivat e partisë që udhëheq.
“Objektiv i Nismës ka qenë tu jepet mundësi intelektualëve të cilët nuk kanë pasur hapësirë me i shërby vendit dhe ne kemi arritur të ndërtojmë një armatë të djemëve e vajzave të cilët janë aktiv dhe japin kontribut për temat që janë të rëndësishme për vendin dhe kjo quhet aktivizim i një shoqërie që është përball problemeve që ballafaqohet vendi dhe ky është hap i mirë për ne”, tha Limaj.
Kurse, kryetarët e degëve të kësaj partie në rajonin e Ferizajt, treguan për funksionimin e Nismës nëpër qytetet ku ata udhëheqin .
“Tani jemi të gatshëm për çdo proces që mund të ndodhë, pasi besoj që jemi të konsoliduar mjaftë mirë”, tha kryetari i Nismës Socialdemokrate në Kllokot.
“Dega e Nismës në Kaçanik aktualisht i ka 140 anëtarë të rregullt, por jemi duke punuar që ta rrisim këtë numër të anëtarëve, prandaj me këtë mund të them se ne jemi të gatshëm për çfarëdo lloj procesi që na del përpara”, tha kryetari i degës në Kaçanik.
Limaj njoftoi se takime të tilla do të mbajë me të gjitha strukturat e partisë së tij për të parë se çka është arritur deri më tani në të gjitha komunat.