“Udhëkryqet kosovare”, është libri i radhës i autorit 70 vjeçar nga fshati Doganaj i Ferizajt, Nebi Jashari. Në këtë vepër janë përfshirë disa shkrime të autorit të botuara nëpër gazeta, revista dhe portale të ndryshme që kanë të bëjnë kryesisht me politikë dhe ekonomi.
Recensentët e librit të Jasharit, Skender Ramadani dhe Halil Halili, thanë se autori në këtë libër shtjellon tema të ndryshme, si ndikimin e privatizimit të ndërmarrjeve publike që janë bërë në vend, energjinë e ripërtëritshme, korrupsionin, procesin e sigurimeve shëndetësore, e të tjera. Mirëpo, ata theksuan se autori theksin kryesor në këtë libër e ka vënë tek bashkëpunimi që duhet të jetë në mes të institucioneve qeveritare dhe bizneseve.
“Autori është përkrahës i ekonomisë së tregut, tregut të lirë të hapur, duke u shprehur se nëse duam standard më të lartë të jetës tregu i lirë është e vetmja alternativë, por gjithnjë duke pasur parasysh edhe rolin e qeverisë e cila duhet të jetë e gatshme të marrë pozicionin e mekanikut i cili kujdeset për lokomotivën, që në këtë rast autori lokomotivën e merr si metaforë të biznesit, lokomotiva është biznes, kurse qeveria është mekanik i cili duhet të kujdeset për zëvëndësimin e pjesëve të lokomotivës që ajo të arrijë në cakun e destinuar”, tha recensenti Skender Ramadani.
“Libri “Udhëkryqet kosovare” përmban një sërë analizash politiko-ekonomike, qasje realiste, origjinale dhe pragmatike për temat që trajtohen, që në brendësinë e tyre japin porosi të qartë nga të cilat si të tilla asnjëherë nuk e kanë humbur aktualitetin, veçanërisht gjatë trajtimit të temave ekonomike vërehet një qasje profesionale që fillon me identifikimin e problemeve, shtjellimin e çështjes dhe dhënien e rekomandimeve për zgjidhje të mundshme”, tha Halil Halili, recensent.
Libri “Udhëkryqet kosovare” i autorit Nebi Jashari, u vlerësua lartë edhe nga politologu Ramush Tahiri.
“Ajo që më bën përshtypje në këtë libër janë tematikat që janë të thukta, nuk kanë përsëritje, janë të qarta në mendimin se çka po dëshiron të thuash dhe kah po dëshiron me u orientu dhe nuk mund të thuash në asnjë segment që ka mungesë të argumenteve, përkundrazi gërshetimi i tij flet për një përvojë, një mjeshtri dhe fundi i fundit flet për një qëndrim shumë njerëzor dhe humanist, angazhues në shërbim të popullit dhe vendit”, tha Tahiri.
Kurse, autori i librit Nebi Jashari, tha se përvojën personale në politikë, ekonomi dhe arsim është munduar ta sjellë në këtë libër.
“Derisa po mendoja se çka të flas me këtë rast mu kujtua një pyetje e një shokut se përse po shkruan dhe këto shkrime po i bëj pasi të gjitha çka i kam mësuar në jetë janë prej popullit dhe vetëm me shkrim mund t’ia kthej ato që i kam marrë nga populli. Kosova ka nevojë për më shumë zëra kritik të intelektualëve, e luftë kundër antivlerave”, tha Jashari.
Libri “Udhëkryqet kosovare”, u vlerësua dhe u komentua pozitivisht edhe nga dashamirët e librit, të cilit ishin pjesëmarrës në këtë promovim.
Muaj më parë Jashari kishte botuar librin ”Tregime ndryshe”.