Në kuadër të preventivave për mbrojtjen e pyjeve të komunës së Ferizajt, drejtori i Bujqësisë në këtë komunë Burim Bajrami, ka njoftuar se ka bërë edhe rifreskim tek kuadri, përkatësisht tek rojet e pyjeve. Bajrami e pranoi se gjendja e pyjeve është jashtëzakonisht e keqe, duke theksuar se mbrojtja e tyre nga kepërdoruesit është sfidë e madhe për institucionin e komunës.
“Në bazë të një regjistrimi që kemi bërë në terrren del se pyjet e Ferizajt janë shkatërruar në masë të madhe. Unë si drejtor menjëherë i kam marrë disa masa konkrete fillimisht duke ristrukturu stafin, kam dërguar në komision disiplinor dy nga rojet si dhe një teknik të pylltarisë, ndërsa një tjetër teknik që ka qenë i akuzuar për marrje të mitos më nuk e kemi pranuar në punë. Po ashtu i kemi ristrukturuar rojet e pyjeve duke ua ndërruar vendet për shkak të rritjes së efikasitetit në punë, përveç tjerash kemi vendos edhe dy punkte të policisë si të vetmen zgjidhjen për mbrojtjen e pyjeve në komunën e Ferizajt dhe mund të them se këto punkte e kanë arritur efektin që ne po dëshirojmë”, tha Bajrami.
Një vërejtje publike drejtori i Bujqësisë në Ferizaj Burim Bajrami, e adresoi tek institucionet. Ai tha se pyjet fillimisht duhet të ruhen nga zyrtarët, e më pas nga prerësit ilegal të tyre.
“Duhet ta rujamë malin dhe pyjet ne vetë, personalisht unë e më pas edhe nga stafi im fillimisht. Unë nuk do të jem bashkëpunues me dëmtuesit e pyjeve, prandaj do të angazhohem maksimalisht që rojet e pyjeve dhe zyrtarët komunal mos të bashkëpunojnë me dëmtuesit, ky është qëllimi kryesor. Jam takuar edhe me kryetarin e gjykatës, po ashtu edhe me kryeprokurorin, jemi pajtuar për të bashkëpunuar në mbrojtje të pyjeve dhe të procedohen lëndët më me prioritet. Unë jam angazhuar që t’i mbledhë të gjitha të dhënat për secilin dëmtues që brenda vitit ka qenë prerës ilegal i pyjeve dhe i kemi dorëzuar në gjykatë që ata ta kenë më lehtë këtë procedurë, por fatkeqësisht deri më tani nuk kam asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me këto dosje, vazhdimisht dërgojmë fletëparaqitje, vazhdimisht ne i dërgojmë gjykatës raste dhe realisht nuk jam fare i kënaqur me punën që ata duhet ta kryejnë. Me vjen keq kur gjykata i konsideron dëmtuesit e pyjeve si shtresë të varfër, e realisht ata bëjnë biznes me këtë veprimtari”, tha Bajrami.
Sipas regjistrimit të fundit që ka bërë Drejtoria e Bujqësisë, del se pyjet e Jezercit janë më të dëmtuarat nga prerësit ilegal.