Rasti i ndërtimit të egër për të cilin dje raportoi Televizioni Tema, vlerësohet si rast shqetësues edhe nga vetë drejtuesit e qeverisë lokale në Ferizaj. Një ditë pas, për këtë temë është prononcuar drejtori i Urbanizmit Lulzim Aliu, i cili tha se këtu vërehet papërgjegjësia e firmave ndërtuese, por edhe neglizhenca e vetë institucioneve.
“Është ky prej rasteve më të rënda kur objektin në vend pa leje, jo komplet prona në emër të tij, e ngjet dhe fillon me punu duke tentu edhe me ia mbyll dritaret e ndërtesës e cila është me leje dhe me kushte urbanistike në kohën kur i ka marrë. Normalisht me palët jam takuar dhe në kuptimin administrativ ligjor janë kryer të gjitha procedurat, objekti që po ndërtohet atje duhet të rrënohet edhe nëse e ka pronën përmbi vete, edhe nëse konkurron për leje aty është e pamundur të ndërtohet një ndërtesë e tillë sepse nuk ka hapësirë”, tha Lulzim Aliu.
E, derisa drejtori i Urbanizmit e pranon se kjo ndërtesë duhet të rrënohet, ai po ashtu tregoi arsyen pse deri më tani ekzekutivi nuk e rrënoi atë. Lulzim Aliu flet për disa kompetenca të përziera brenda komunës.
“E kemi lutur pronarin që ta rrënoj vetë objektin, nuk e ka rrënuar edhe ne tash do ta shohim masën që do ta marrim. Tash e tre muaj s’ka punuar, por megjithatë ajo që është punuar deri më tani gjithsesi duhet të rrënohet. Unë mendoj se Drejtoria e Urbanizmit e ka kryer punën e vetë në momentin që s’ka lëshuar leje, ajo duhet të rrënohet, nëse pritet tash veç urdhëri im si drejtor natyrisht që do ta bëj, sepse edhe inspektorët nuk i kam në kuadër të drejtorisë, ata tashmë janë në kuadër të zyrës së kabinetit, por kjo natyrisht nuk na arsyeton ne mos me vepru bashkërisht për këtë çështje. Nëse kemi të drejtë që me ftu kompaninë që deri më tani e ka pasur përgjegjësinë për t’i rrënuar objektet pa leje, ky objekt shumë shpejt do të rrënohet”, tha Lulzim Aliu.
Për objektin që po ndërtohet pa kurrfarë leje në rrugën “Madeleine Albright”, institucionet komunale kanë reguar vetëm atëherë kur pronari i banimit privat të cilit po i mbyllen dritaret e dhomave nga ky ndërtim, është ankuar në komunë e gjykatë.