Klubi ”Rotary” në Ferizaj, për të katërtin vit me radhë do të ndajë bursa për studentët e komunës së Ferizajt. Ky klub këto ditë ka shpallur konkurs për dhënien e 33 bursave për studentët e këtushëm për vitin akademik 2018/2019.
Kryetari i këtij klubi në Ferizaj, Xheladin Reçica, duke treguar kushtet e konkurrimit të cilat duhet të plotësohen nga studentët, bëri të ditur se gjasat janë që të ndahen më shumë se 33 bursa dhe kjo duke e parë vullnetin e bizneseve ferizajase për të mbështetur studentët.
“Kushtet për konkurs të studentëve janë që së pari të jenë banorë të komunës së Ferizajt, të jenë studentë të rregullt në nivelin bachelor në universitetet publike të Kosovës, jo në ato private, kushti i tretë është që përparësi do të kenë studentët të cilët vijnë nga viset rurale apo nga qyteti i Ferizajt që janë në gjendje ekonomike jo të mirë, kriter tjetër do të konsiderohet nota mesatare e studimeve ose për studentët e vitit të parë do të jetë me rëndësi nota mesatare e vitit të fundit të shkollës së mesme, përparësi për marrjen e bursave do të kenë studentët e shkencave inxhinierike, shkencave mjekësore, natyrore ose ndonjë drejtim që ka interes të veçantë për komunën e Ferizajt, këto janë kushtet kryesore të cilat studentët duhet t’i plotësojnë për përfitimin e bursës”, tha Reçica.
Reçica, tregoi edhe arsyen e mosdhënies së bursave për studentët që studiojnë në kolegje universitare.
“Ne si klub rotarian kemi statutin për bursa, në statut është e paraparë të jenë studentë të universiteteve publike e jo private, arsyeja kryesore është se studentët e universiteteve private kanë mundësi për me bë pagesën e një viti shkollor në një shumë 1000 e 2000 euro, në qoftë se ata kanë mundësi të sigurojnë këtë shumë, një bursë prej 50 eurove në muaj nuk do të jetë shumë domethënëse”, tha Reçica.
Afati i konkurrimit për bursat që do të ndajë klubi ”Rotary”, do të jetë deri më 31 tetor.
Vlera e një burse të dhënë nga ky klub është 50 euro në muaj dhe jepet për 10 muaj.