Në ambientet e shkollës së muzikës, artit dhe baletit “Mjellmat”, pianistja 18 vjeçare Fjolla Hetemi nga Ferizaj, ka mbajtur një koncert solistik, koncerte këto që rrallëherë organizohen në këtë qytet.
Hetemi, e cila në prani të dhjetëra dashamirëve të pianos ka interpretuar vepra muzikore të Beethovenit, Chopinit dhe Bach-it, tha se ka vite që e ka ëndërruar organizimin e një koncerti të tillë.
“Ëndërr e çdo instrumentisti dhe e çdo muzikanti është me mbajt një koncert për me shafq punën dhe talentin e tij, gjithmonë ka qenë dëshirë e imja e kahmotshme me mbajt një koncert solistik ose recital, mirëpo gjithmonë duke mos mundur me u përshtat me programin që kemi pasur, ky program që e kam luajtur mbrëmë ka qenë ndër programet e mia më të preferuara dhe ka qenë i punuar në mnëyrë shumë profesionale dhe ndjehem mirë që e kam realizuar, mbrëmë jam motivuar edhe më shumë që me fillu me punu sa më shumë për me bë gjëra më të mira, sepse realisht vendit tonë i mungojnë koncerte të tilla të cilat janë kulturore, por edhe edukative dhe besoj që ky koncert mos të jetë i fundit”, tha Hetemi.
Hetemi e cila është në vitin e dytë të studimeve në Degën e Arteve Muzikore, synon që në të ardhmen të realizoj koncerte shumë më të mëdha.
“Ky profesion sa është i mirë është edhe shumë i vështirë, por unë jam familjarizuar me pianon, prandaj kam fillu me punu sa më shumë dhe për këtë e kam zgjedhur pianon në studime”, tha Hetemi.
Fjolla Hetemi, ka performuar në dhjetëra koncerte e manifestime që janë organizuar në Ferizaj.