Familja Tërstena nga Talinoci i Muhaxherëve, përjetoi sot një gëzim të madh. Hyrja në shtëpi të re, e ndërtuar nga marketi ”Eli-Ab” dhe shoqata humanitare ”Feniks”, lumturoi këtë familje e cila jetonte në kushte jashtëzakonisht të vështira.
“Gëzim më të madh në jetën time nuk kam pasur dhe as nuk do të kem, por i falënderoj shoqatën “Feniks” dhe “Eli-Abin” dhe të gjithë që kanë kontribuar, uroj që Allahu t’i shpërblej gjithmonë”, tha kryefamiljari AgimTërstena.
Kurse, kryetari i shoqatës “Feniks” Milaim Jashari, tha se falë vullnetmirëve që po kontribuojnë në shoqatën ”Feniks”, shumë familjeve po u zgjidhet çështja e banimit.
“Eli-Abi” gjashtë shtëpi i ka ndërtuar deri tani me neve, po ashtu është edhe një shtëpi që është duke e rregulluar, unë e përshëndes shumë pronarin e këtij marketi, po ashtu edhe Fatmirin që ka dhënë dy ari truall, pasi kjo familje ka pasur shumë nevojë për shtëpi të re, pasi Agimi është me nevoja të veçanta dhe është në karrocë, vetë nuk ka pasur mundësi ta ndërtoj, ne si shoqatë nuk lodhemi dhe nuk do të lodhemi derisa na ndihmon ky popull”, tha Milaim Jashari.
Kjo është shtëpia e 15 që shoqata humanitare “Feniks” ka ndërtuar gjatë këtij viti, ndërsa në total numri i shtëpive të ndërtuara që nga themelimi i kësaj shoqate arrin në 231 shtëpi.