Ky projekt të cilin banorët e kishin kërkuar që një kohë të gjatë, nisi së realizuari sot në rrugën ”Shaban Gashi” në Ferizaj, rrugë kjo e cila lidhet me rrugën “Rexhep Bislimi”. Banorët e mirëpritën këtë projekt, duke thënë se kjo rrugë ka qenë në gjendje të mjerueshme.
“Më në fund u asfaltua pas 63 vjetëve, 63 vjet baltën e kemi pasur, këtu kanë kaluar nxënësit e kanë kaluar gjithmonë me vështirësi, kemi pasur shumë premtime, shumë herë kemi shkuar në komunë e kemi kërku me u asfaltu, po sot u ba kismet u kry”, tha Bektesh Bega, banor në rrugën “Shaban Gashi”.
Kurse, kryetari i Ferizajt Agim Aliu, tha se pushteti i kaluar kishte harrur që edhe kjo lagje është pjesë e qytetit.
“Këta qytetarë kanë pritur një kohë të gjatë, ajo çka dua të them në këtë rast është se këtu kam qenë para 6 viteve dhe kam parë që kjo lagje nuk ka të bëj asgjë me atë që është pjesë e qytetit dhe pikërisht duke qenë kështu kam pas përgatitur projektin e kanalizmit sepse ishte një gjendje e rëndë dhe ne e kishim realizuar, po ashtu në vazhdën e projekteve që kanë të bëjnë me këtë zonë unë kisha pas planifikuar edhe rrugën “Rexhep Bislimi” që lidhet me këtë lagje, pastaj çështjet e ujësjellësit, kanalizimit dhe kjo shumë ishte diku mbi 5 milionë euro në bashkëpunim me Qeverinë Zvicerane ishte projektuar që të vazhdonte edhe asfaltimi i kësaj rruge dhe rrugëve të tjera që ishin lidhëse me rrugën “Rexhep Bislimi”, mirëpo është për të ardhur keq që nuk kanë pasur vëmendjen e duhur zonat urbane në të kaluarën, por ja që po e përmbyllim këtë investim dhe jam shumë i lumtur që po përfundon, por edhe më vjen keq për qytetarët e kësaj zone që kanë pritur kaq gjatë”, tha Aliu.
Sipas kryetarit të komunës, asfaltimi i kësaj rruge që është e gjatë 720 metra, buxhetit të komunës do t’i kushtoj mbi 70 mijë euro.