Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që nesër t’i bashkohen protestës kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili sipas tyre, pa legjitimitet po zhvillon negociata kokë më vete me Vuçiqin për territorin e vendit. Kryetari i Vetëvendosjes në Ferizaj Valon Ramadani, pasi shpërndau ftesa për protestë bashkë me aktivistë të tjerë të kësaj partie, tha se për të gjithë qytetarët që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj proteste, nisja nga Ferizaj do të bëhet në mënyrë të organizuar.
“Siç e dinë qytetarët e Kosovës, nesër është protesta gjithë popullore në Prishtinë dhe ne si qendër kemi pasur takime mobilizuese për këtë protesë dhe qytetarët kanë konfirmuar se do të jenë pjesë e kësaj proteste, po ashtu përmes kësaj konference dëshirojmë t’i informojmë qytetarët e Ferizajt se nesër do të ketë transport të organizuar, nga ora 12:30 do të filloj nisja nga oborri i shkollës “Gjon Serreçi”, prandaj ne u bëjmë apel edhe një herë qytetarëve të Ferizajt që t’iu përgjigjen kësaj proteste me moton ”Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” dhe pa dallime partiake dhe pa inate të askujt ne do të organizojmë këtë protestë e cila do të jetë paqësore”, tha Ramadani.
Sipas Ramadanit, protesta e nesërme shpreh bindjen dhe vullnetin e qytetarëve për mbrojtjen e vendit.
“Gati se të gjithë qytetarët e Kosovës e dinë arsyen pse po protestojmë, kjo protestë është kundër copëtimit të Kosovës dhe Luginës, nuk mundet një njeri të vendos për fatin e Kosovës, pasi kjo tokë është mbrojtur me gjak prej shekujsh dhe nuk mundet një njeri të vendos për të”, tha Ramadani.
Ndryshe, protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje nuk është përkrahur nga subjektet tjera opozitare në Kosovë.