Dita e Dëshmorëve në Ferizaj, tuboi sot mijëra qytetarë në Varrezat e Dëshmorëve të kësaj komune. Për t’i nderuar ata që dhanë më të shtrenjtën për çlirimin e vendit, qytetarët ferizajas bën homazhe në orët e paraditës. Këtu u panë pozitë e opozitë, shoqata të dala nga lufta, si dhe mysafirë që kishin ardhë nga komunat e tjera të Kosovës. Homazhet për Ditën e Dëshmorëve, sivjet u realizuan në kuadër të 20 vjetorit të “Epopesë së lavdishme të Jezercit”. Me krenarë se kurrë u ndjenë familjet që dhanë më të shtrenjtit e tyre për këtë liri që Kosova po e gëzon sot.
“Emocionet e mia sot janë të krenarisë gjithsesi, unë jam i prekur për besë, jam i prekur nga ky masovitet që kanë ardhur sot këtu e po i nderojnë dëshmorët e tyre, ju lumtë të gjithëve, por edhe organizatorit. E gëzofshim këtë ditë, ta kujtojmë me mall dhe krenari luftën që patëm për këtë liri. Sot, para 20 vitesh ranë për të mos vdekur kurrë 9 dëshmorë, u flijuan në mënyrë heroike për atdheun. Ata dhe 2 mijë të tjerë dëshmorë sot na bëjnë obligativ që të kemi qasje më ndryshe ndaj vendit, të kemi moral më të fortë dhe t’i shtyejmë proceset përpara, sepse sot jemi të lirë, por nuk jemi si në Zvicër, duhet të punojmë më shumë për ta bërë shtetin me sistem”, tha Gafurr Bytyqi nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.
Të kënaqur dhe të emocionuar nga pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në homazhe, u shprehen edhe organizatorët e javës së “Epopesë së Jezercit”.
“Emocionet janë të mëdha, siç na keni përcjell gjatë tërë javës ne kemi mbajtë aktivitete për këtë epope të lavdishme dhe natyrisht që kemi pasur emocione të veçanta. Kjo ditë është një ditë lavdie, një ditë jubilare, një ditë e një epopeje të zonës sonë, pasi që ”Epopeja e Jezercit” është nga ato më të mëdha në Kosovë, është beteja e fundit e ofansivës së parë. Ndihemi krenarë që kemi pasur 9 dëshmorë dhe besoj që këtë ditë do ta mbajmë me dinjitet dhe të punojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë në vendin tonë”, tha Luan Jahiri nga OVL e UÇK-së.
Në betejën e Jezercit ranë dëshmorë Gursel e Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Sejdi Sejdiu, Sali Baliu, Lulzim Guta, Arsim Zeqiri, Bashkim Vishi dhe Nazim Terziu.