Ora e parë e mësimit në shkollat e Ferizajt ishte më ndryshe se ditëve të tjera. Përgjatë një ore mësimore, nxënësit ferizajas patën rastin të informohen më shumë rreth historikut të Epopesë së Jezercit.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, Luan Jahiri, para nxënësve të klasës së 12 të gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”, kërkoi që të mësojnë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit, ngase shumë dëshmorë u flijuan për këtë ditë.
“Ne ndjehemi krenarë që sot ju jeni të lirë të mësoni në këto shkolla, gjeneratat tona kemi pasur vështirë të mësojnë, unë kam pasur fatin të jem ajo gjenerata që kemi mësuar nëpër shtëpi, kemi pasur burgime, maltretime, rrahje e vrasja të shokëve tanë, por ka ardhur tani ajo ditë që ju të shkolloheni më mirë, unë besoj se ju keni mundësi të mësoni e të jepni kontribut për shtetin e juaj, prandaj ju ftoj që të mësoni dhe të kontribuoni për ndërtimin e shtetit”, tha Jahiri.
Kurse, drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, tha se qëllimi i kësaj ore historike është që nxënësit të dinë se si erdhi deri tek çlirimi i vendit.
“Në vazhdën e aktiviteteve që janë mbajtur gjatë këtyre ditëve për shënimin e 20 vjetorit të Epopesë së Jezercit një ndër ato aktivitete që ka planifikuar Këshilli Organizativ ka qenë edhe mbajtja e një ore historike në të gjitha shkollat e komunës së Ferizajt, kjo orë historike është mbajtur në të gjitha shkollat e Ferziajt dhe ne si Këshill Organizativ ishim të interesuar sot që të jemi bashkërisht me nxënësit në një orë historike dhe si po rrjedh ajo dhe e pamë që nxënësit ishin të interesuar për të dëgjuar se çka ka ndodhur në atë kohë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës bënte përpjekje për ta çliruar këtë vend”, tha Llabjani.
Aktivitetet për shënimin e Epopesë së Jezercit kanë filluar të hënën dhe do të zgjasin deri të shtunën, ku është paraparë ecje nga Ferizaj deri në Jezerc.