Komuna e Ferizajt ka filluar zëvëndësimin e gypave të ujësjellësit që kanë përbërje azbesti me ata të plastikës, në rrugët “Zenun Beqa”, Fehmi Lladrovci”, ”Ali Asllani” dhe “Lidhja e Prizrenit”. Pas ndërrimit të gypave, planifikohet asfaltimi i këtyre rrugëve. Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se rregullimi i këtyre rrugëve do të bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ndërsa theksoi se nuk do të lejojnë që të zvarriten punimet.
“Këtu jemi në katër rrugë të qytetit ku praktikisht jo vetëm që do të hiqen në pjesë të caktuar gypat e vjetër të ujësjellësit, por në fund do të jenë edhe dy shtresa të asfaltit, vlera është diku afër 140 mijë euro dhe bëhet fjalë për një gjatësi 1.3 kilometër e cila do të trajtohet në kuadër të infrastrukturës nëntokësore dhe me asfalt, përndryshe gjithçka do të jetë e përfunduar këtë vit, sepse ne do të sigurojmë financime shtesë dhe nuk do të lejojmë që kompanitë të punojnë pa pasur financimet e duhura”,tha Aliu.
Ndërsa, banorët e këtyre lagjeve kërkuan që punimet të mos bëhen shkel e shko.
“Kjo lagje është ndërtuar para viteve të 80-ta, unë me profesion jam kimist dhe kam kuptu që këtu janë të vendosur gypa të azbestit të cilat janë kanceroz, prandaj unë kam informu kryetarin pasi edhe çerdhja është këtu që të intervenohet, jemi të kënaqur që është duke u realizu ky projekt për shkak të gypave të azbestit të cilët janë vërtetuar se janë gypa kanceroz dhe uji mundet me qenë i dëmtuar”, tha Sabit Provoliu.
“Po bëhet mirë që po shtrohet, por ishalla ata që e shtrojnë dhe ata që e kanë dhënë lekun nuk i hanë gjysën e pareve e me u prish asfalti pas një viti, pasi përvoja është asisoj, paret që janë të ndara për asfalt të shkojnë në asfalt e jo në xhepa të tjerë”, tha Musa Arifi.
Udhëheqës të komunës së Ferizajt, bën të ditur se gjatë këtij viti do të punohet në 200 rrugë në zonën urbane.