Që nga sot flora dhe fauna në malet e Jezercit, por edhe në pjesë të tjera të kësaj komune do të jenë nën mbrojtje. Deri më tani kafshët e egra ishin të rrezikuara nga personat e papërgjegjshëm, mirëpo tash e tutje Drejtoria e Bujqësisë në Ferizaj ka emëruar shoqatën e cila do ta menaxhoj gjuajtjen e kafshëve nëpër male. Për ta shënuar këtë nismë, në malet e Jezercit u ngjitën dhjetëra dashamirë të kësaj fushe, zyrtarë lokal dhe qëndror, si dhe qytetarë të tjerë. Nuk mungoi as mishi i pjekur.
“Siç jeni në dijeni ne si drejtori e kemi bërë një ofertë publike për dhënie në shfrytëzim të vendgjuetive të përbashkëta në komunën e Ferizajt. Paraprakisht kemi marrë leje nga Ministria e Bujqësisë dhe i kemi zhvilluar të gjitha procedurat ligjore për dhënie në shfrytëzim të vendgjuetive. Ka pasur mjaftë të inetresuar, por komisioni i përbërë nga Drejtoria jonë e ka caktuar shoqatën “Shqiponja” nga Ferizaj. Ne do ta monitorojmë punën e kësaj shoqate e cila do të menaxhoj me vendgjueti për 10 vitet e ardhshme“, tha drejtori Burim Bajrami.
Të pranishëm në Jezerc ishin edhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë. Bajram Batusha nga Departamenti i Pylltarisë, vlerësoi se kjo nismë që ka ndërmarrë Ferizaj, është mëse e qëlluar për mbrojtjen e faunës.
“Siç e dini edhe ju nga viti 2006 gjuetia në Kosovë menaxhohet dhe administrohet sipas ligjit të gjuetisë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Sipas këtij ligji gjuetia duhet të menaxhohet nga shoqatat e gjuetisë, nga komunat dhe nga menaxhuesit e vendgjuetive. Pra, sipas këtij ligji ne kemi tri vende gjuetish: vendgjueti të përbashkëta, me rëndësi të veçantë dhe private”, tha Batusha.
Përfaqësues të shoqatës “Shqiponja”, u zotuan se do të jenë të përgjegjshëm për obligimin që kanë marrë.
“Ne do të mundohemi me të gjitha forcat që ta ruajmë faunën, ta shtojmë egërsinë dhe të punojmë me gjithë vullnetin që kemi për këtë faunë”, tha kryetari i shoqatës ”Shqiponja”, Isuf Idrizi.
U bë e ditur se nga mesi i muajit tetor zyrtarisht fillon edhe sezoni e gjuetisë.