Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj, ka pranuar si donacion një autoambulancë nga bashkëatdhetari Ahmet Haliti, i cili jeton në Gjermani. Ai tha se me qëllim që të ndihmoj vendlindjen është angazhuar për të blerë këtë autoambulancë e cila ka një kosto rreth 10 mijë euro.
“Unë punoj në Berkshtat që 26 vite, i rregulloj autoambulancat dhe e njoh shefin atje dhe e kam pyetur se a mund ta sjellë një në Ferizaj, më tha që po dhe në bazë të mundësive e kam blerë dhe e kam sjellë këtu, pse jo kur ka mundësi me kontribu për vendlindje”, tha Haliti.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Asllan Bajrami, tha se kjo autoambulancë do të jetë ndihmesë e madhe për këtë institucion, meqë shumë shpesh pacientët barten me vetura private.
“Këto profile të autoambulancave moderne janë shumë të nevojshme për pacientin për ta dërguar, apo për të mos i dhënë shansë qytetarit që nga vullneti të bëj një ndihmë ta trasportoj dhe ndoshta në shumë raste siç ka ndodhë ta lëndoj më shumë se që ka ndodhë në aktin e parë”, tha Bajrami.
Rasti i fundit kur një i therur me thikë u bart në Emërgjencë nga Policia pikërisht për shkak të mosshkuarjes së autoambulancës në vend të ngjarjes, ishte të premtën që lamë pas. Për këtë, drejtori Bajrami thotë se nuk është i njoftuar edhe pse thekson se i kanë të gjitha kapacitetet.
“Kjo është e treta autoambulancë donacion kurse e pesta e aftë për të vepruar, kemi vozitës. Është rast të cilin po e kuptoj nga ju dhe do ta marrë informatën e saktë nga përgjegjësi i emërgjencës, unë nuk kam informatë pse s’ka shku autoambulanca, aktualisht funksionojnë dy emërgjencat, nuk është në mungesë të stafit dhe as në mungesë të mjekut, por do të interesohem për këtë”, tha Bajrami.
Kjo qendër e mjekësisë familjare, në maj të këtij viti kishte pranuar dy autoambulanca donacion nga një spital i Zvicrës.