Bllokuan magjistralen dy herë duke protestuar me kërkesën për asfaltimin e rrugës, madje në protestën e dytë me banorët e fshatrave Bablak-Tërrn-Luboc-Koshare, u takua edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili premtoi se deri në fund të vitit kjo rrugë do të asfaltohet, mirëpo siç duket ky zotim i kryeministrit do të mbetet vetëm fjalë, pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit sërish ka anuluar kontratën për asfaltimin e kësaj rruge. Ky lajm i ka zhgënjyer tej mase banorët e këtyre fshatrave.
“Anulimi i këtij tenderi është pritur me shqetësim të madh, ne e dimë që është një projekt kapital dhe ka të bëj me shuma milionëshe prandaj ne jemi të bindur se ka probleme rreth grupeve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe vështirë se do të kaloj edhe për një kohë. Ne jemi të zhgënjyer me tri qeveritë e fundit, e veçanërisht me tre ministrat që kanë qenë që nga vitit 2008. Jemi të zhgënjyer me ish-ministrin Fehmi Mujota i cili afër nesh është me shtëpi, ai ka qenë dy mandate ministër dhe nuk ka lejuar asnjëherë të hyjë në projekt, ndërsa ai nëpër vise malore ka krijuar një rrjet të asfaltimit në drejtim të Suharekës që ne s’jemi kundër, por atje arriti të tejkalojë procedurat, po ashtu jemi të zhgënjer edhe me Lutfi Zharkun i cili njëjtë ka vepruar, diku mes Karadakut dhe Kaçanikut ka arritur për një muaj me i tejkalu procedurat e tenderimit për asfaltim të rrugës në një pjesë ku kalojnë 30 hektarë zabele të familjarëve të tij, po ashtu jemi të zhgënjyer edhe me ministrin aktual i cili një javë para zgjedhjeve ka qenë pikërisht këtu dhe ka premtuar, do të thotë kur kanë interesa familjare e grupore procedurat i tejkalojnë shumë shpejtë, e këtu tek ne s’kanë pasur interes”, tha Sabit Avdiu, përfaqësues i fshatit Tërrn.
“Ky dimër do të na pret në gjendje shumë të rëndë sipas të gjitha gjasave, shumë herë punët na u kanë afruar për t’u bërë asfaltimi, por siç duket vetëm në letër, për neve jeta është e njëjtë, ata njerëz që po munden me bë zgjidhje po ikin nga fshati se pa rrugë s’po kemi as transport për nxënës, as për punë, dhe lajmi që morëm dje është shokues për neve, premtimet e kryeministrit ishin bombastike, madje ne e uronim njëri-tjetrin se u kry puna dhe po realizohet ëndërra 15 vjeçare”, tha Imri Shabani, banor i Lubocit.
“Tash sa e ndërrova gomën e veturës se e prisha në gropë, çka me i thanë kryeministrit që veç erdh na premtoi”, tha një tjetër banor.
“Kemi pritur me shpresë të madhe, e sidomos pas protestës, edhe fjalët e kryeministrit kanë qenë që të besojmë në to, pasi na ka thënë që do të kujdeset për ato procedura, por tani na vjen keq që janë anuluar procedurat, pasi me të vërtetë kemi probleme me rrugë, është e pakalueshme”, tha Evli Ibishi, banor i fshatit Tërrn.
Banorët e katër fshatrave thanë se protestën e radhës do ta mbajnë para Ministrisë së Infrastrukturës në Prishtinë.