Parandalimi i terrorizmit dhe dhuna në familje, ishin ndër temat të cilat u ligjëruan sot në ambientet e komunës së Ferizajt nga Braden Scharag, rreshter i Departamentit të Policisë Metropolitane në Las Vegas i caktuar në Zyrën e Angazhimit të Komunitetit. Scharag i cili në Kosovë ka ardhur me ftesë të Ambasadës Amerikane, tha se gjithpërfshirja e mirëfilltë e akterëve të sigurisë është faktor i rëndësishëm, i cili ndikon në zvogëlimin e problemeve me të cilat përballen forcat e rendit. Rreshteri amerikan, gjatë kësaj ligjërate tha se Kosova ka shënuar progres sa i përket sigurisë, por se ende ka vend për përmirësime.
“Siguria në Kosovë prej asaj që kam arritur me pa e vlerësoj më të mirë se në disa vende në Evropë, qeveria ka bërë një punë të mirë që të ngriten kapacitetet e Policisë së Kosovës për të siguruar qytetarët, por kuptohet në çdo shoqëri ka hapësirë për të bërë përmirësime edhe më shumë, por ajo që është më e rëndësishme është që të punohet në vazhdimësi në rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, tha Scharag.
Kurse, përfaqësues të ekipit veprues për Siguri në Bashkësi të nivelit lokal, thanë se në vazhdimësi synojnë të mbajnë në nivel sigurinë në Ferizaj.
“Rëndësia e kësaj ligjërate padyshim është shumë e madhe për gjithë komunitetin, sepse temat që po shtjellohen janë dhuna në familje, parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm, qentë endacakë dhe sot e kemi rastin të shfrytëzojmë ekspertin amerikan i cili do të na ligjërojë për këto tema, për të cilin edhe jemi falënderues. Ne mundohemi si komunitet të bëjmë një punë të mirë për gjithë komuntetin në parandalimin e këtyre dukurive negative”, tha Ismajl Mehmeti.
Pjesë e kësaj ligjërate ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme duke përfshirë këtu pjestarë të policisë, shoqërisë civile, drejtues të shkollave dhe qytetarë. Përveç tyre, në këtë debat morën pjesë edhe përfaqësues nga Departamenti i Drejtësisë Amerikane.