Përreth 30 minuta banorët e fshatit Tërrn, Bablak, Lubovc dhe Koshare, kanë bllokuar magjistralen Prishtinë-Shkup në shenjë revolte për mosasfaltimin e rrugës që kalon përgjatë këtyre fshatrave.
“Këtu jemi për të ushtruar të drejtën tonë të protestës ndaj padrejtësive të vazhdueshme që po u bëhen komunitetit tonë, që nga viti 1999 ne përballemi me mungesë të kushteve elementare përfshi rrugën e cila nuk është përkujdesur asnjëherë askush për mirëmbajtjen e saj, shpresojmë që zëri i këtyre qytetarëve do të merret parasysh në mënyrë që të ndërmerret urgjentisht një masë për rehabilitimin e kësaj rruge”, tha Adnan Ibrahimi, banor i fshatit Tërrn.
“Fshati Tërrn i ka afër 1500 banorë, ashtu edhe Bablaku, fshati Lubovc diku 500 banorë, janë duke hek me vite në këtë rrugë me gropa e vërshime, këto fjalë të qytetarëve të tri fshatrave të hynë në vesh të qytetarëve sidomos të ministrit Pal Lekaj që të ndërmerr masa e ta rregullloj këtë rrugë”, tha Ramadan Ademi, banor i fshatit Tërrn.
Në mbështetje të banorëve ishin edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës Labinot Tahiri dhe asamblistë të Kuvendit Komunal të Ferizajt.
“Absolut nuk jemi për me blloku rrugë, por me zhblloku rrugë dhe për me bë zgjidhje, por vetë fakti që kjo rrugë është tranzitore dhe është përdorë nga të gjithë qytetarët dhe sot me u lënë pas dore që disa vite është absurde, unë kam shpresu prej Qeverisë Hardinaj dhe minsitrit Pal Lekaj pasi kemi qenë bashkë dhe kemi premtuar, ndërsa tani unë bëj edhe një herë apel që kjo rrugë duhet të shtrohet”, tha Labinot Tahiri.
“Është momenti i fundit që Ministria të reflektojë, janë shterur të gjtiha debatet dhe e vetmja formë është protesta prandaj unë pres që pas kësaj proteste ministri të reflektoj, pasi këta banorë me vite po gënjehen”, tha Amir Rexhepi, asamblist i KK.
“Çka është më e dhimbshme është se kjo rrugë ka hyrë si projekt, janë ndarë mjetet dhe me u heq në fazën finale nga KRPP-ja kjo është e dhimbshme, nuk e di se nga e gjenë atë qetësim ministri Lekaj“, tha Saranda Musliu, asambliste në KK.
Ankesat e banorëve të këtyre fshatrave i arsyeton edhe kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu. Ai tha se kanë kërkuar që procedurat ligjore për këtë projekt t’i barten komunës së Ferizajt.
“Unë kam kërkuar që procedurat të barten në komunën e Ferizajt për faktin se kam llogaritur se ne si komunë do të merrnim përgjegjësinë e plotë për këtë proces në mënyrë që të shkurtohen afatet kohore dhe siç janë shpjeguar nga departamenti ligjor i Ministrisë së Infrastrukturës ka qenë se janë zhvilluar procedura të mëhershme dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk është bartur si çështje në komunën e Ferizajt pavarësisht se ne kemi insistuar”, tha Aliu.
Banorët paralajmëruan se protestat nuk do t’i ndalin deri në realizimin e kërkesës së tyre. Madje, ata thanë se në protestën e radhës rrugën magjistrale Prishtinë-Shkup do ta bllokojnë gjatë tërë ditës.