Njëherë e bllokuan magjistralen Ferizaj – Shkup, ndërsa sot banorët e Rakajve ia zunë derën kryetarit Agim Aliu të frustruar sepse ka dy vjet që mbetën pa rrugë e pa ujë për faj të ekzekutivit lokal.
Derisa ata para hyrjes së Komunës, vendosën parakolp të veturës së dëmtuar, duke shprehur simbolikisht dëmet e përditshme që po i pësojnë nga rruga e shkatërruar, protestuesit thërrisnin që kryetari Aliu të dalë nga zyra dhe t’u japë llogari për hallet e tyre. Mirëpo në vend të kryetarit, qytetarët e mllefosur hasën në barrikadën e policisë, kur filluan edhe shkëmbimet e fjalëve me plot tension.
Pas situatës së krijuar, protestuesit e indinjuar të Rakajve, u futën në objektin e Komunës, ku vazhduan të ngrisin zërin e tyre të pakënaqësisë. Njëri nga ta ishte Vllaznim Kurtaj, banor nga ky fshat.
Vllaznim Kurtaj, banor i Rakajve: Nuk bëhet puna vetëm për vota
“Ne jemi duke e kërku Drejtorin dhe Kryetarin. Pse na kanë zhgënjy qe 22 vjet, rrugën e kemi pasë të asfaltuar, kanë ardhë e kanë dëmtu dhe tash nuk janë duke marrë hapa. Nuk jemi për me ba probleme, por ka dy vjet që është dëmtu rruga. Nuk bëhet kjo punë vetëm për vota, me ardhë dy ditë para zgjedhjeve veç për me na i marrë votat. Ne paguajmë tatim, rrugën na e kanë prishë, ujësjellsin na e kanë lënë në gjysmë”.
Pas gjysmë ore të përplasjes së ashpër verbale me policinë, drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqi u detyrua që t’i presë në takim përfaqësuesit e protestuesve, të cilin nuk i ndalnin akuzat për neglizhencë dhe joprofesionalizëm.
Halil Koxha, përfaqësues i protestuesve: Asfallti është bërë zhavor
“Rruga përpara ka qenë asfalt, tash është bërë zallë, zhavor. Problemi është shumë i madh, zhavori po çon pluhur, edhe rruga e prishur, as teshat me i qitë me i terë nuk ka mundësi më. Ju lutem të na bëni zgjidhje sa më të shpejtë sepse është bërë shumë kohë, dy vite”. u shpreh Halil Koxha, një banor tjetër i fshatit Rakaj
Remzi Qeli, një protestues tjetër nga Rakaj, e akuzoi pushtetin lokal se e ka lejuar dëmtimin e rrugës së fshatit
“Zotëri, kanë qitë zhavor mbi asfalt, a jeni të informuar ju të Komunës? Pse me leju ju me ba ktë? Ka mujt me qitë veç aty ku zgjerohet e këtë mos me e prekë mos me e prekë. Pse e keni leju ju si Komunë?/I përgjigjet drejtori Bytyqi: S’e kena leju, s’kena me leju./ Ju është dashtë kur e keni parë se çka është duke bërë me ndalu”.
Drejtori Bytyqi i ndier në siklet, protestuesve u premtoi zgjidhje aty për aty, qoftë edhe me shkëputje të kontratës me kompaninë punëkryese, e cila ka zvarritur punimet në rrugën e fshatit Rakaj.
Drejtori Arbër Bytyqi: Do ta shkëpusim kontratën me kompaninë
“Javën tjetër kemi me e marrë vendimin. Nëse nuk vazhdon me punu në bazë të standardeve kam me qu kërkesën në zyrën e prokurimit për me e shti në listë të zezë. Në momentin që i shkëputet kontrata, ne kemi me gjetë formën që me e shtru së paku një shtresë që ju në dimër mos me hi me pluhur dhe me lloç. Këtë mundemi me e ba ne. Tri javë më herët unë e kam nda menden që është vështirë me punu me këtë kompani” u shpreh drejtori Bytyqi.
Në përfundim të “desantit” të sotëm mbi komunë, protestuesit nga Rakaj dolën me mosbesim duke u deklaruar se do të vazhdojnë me protesta deri në përmbushjen e kërkesave minimale që i ka ky komunitet. Fshati Rakaj gjendet 7 km në jug të Ferizajt dhe i ka afër 1 mijë banorë.
Lajmi u bë i njohur nga familjarët përmes rrjeteve sociale.
Shaqiri ka qenë një figurë e rëndësishme në gazetarinë kosovare për dekada me radhë. Karrierën e tij e nisi në fillim të viteve ’80 në Radio Ferizaj, ku ushtroi detyrën e kryeredaktorit dhe drejtorit.
Më pas, ai vazhdoi punën në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP) si gazetar dhe redaktor përgjegjës.
Pas mbylljes së dhunshme të RTP-së në vitet ’90, Shaqiri dha kontribut të rëndësishëm në informimin e popullatës në Kosovë përmes valëve të radio Zagrebit dhe Radio Tiranës.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Shaqiri vazhdoi me angazhim në gazetari, fillimisht në Radio Ferizaj dhe Radio Tema, e më pas mori pozita udhëheqëse në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), përfshirë atë të drejtorit të përgjithshëm.
Shaqiri lë pas një trashëgimi të rëndësishme profesionale dhe një kontribut të pazëvendësueshëm për gazetarinë në vend.
Në nderim jetës dhe veprës së tij, familja e të ndjerit në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Klubin e Gazetarëve “Haki Braha” në Ferizaj, do të mbajnë sot (19.04.2025) mbledhje komemorative me fillim nga 14:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.
Është ndarë nga jeta mjekja e mirënjohur ferizajase Dr. Rushe Ramadani Rushiti.
Lajmi u bë i ditur nga familjarët dhe kolegët në rrjetin social Facebook.
Dr.Rrushja kreu studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës kurse specializimin për Obstetrikë-Gjinekologji e kreu në Tiranë.
Punën si mjeke e përgjithshme ajo e filloi në vitin 1984 në maternitetin e Shtëpisë së Shëndetit në Ferizaj kurse pas largimit nga puna nga organet e dhunshme serbe vazhdoi punën në maternitetin e improvizuar “Nëna Terezë” në Prishtinë.
Pas çlirimit, Dr.Rrushja vazhdoi punën në Spitalin e Ferizajt ku organizoi funksionalizimin e Repartit të Gjinekologjisë kurse vitet e fundit ishte angazhuar në poliklinën “Zeka” në Ferizaj.
Mbledhja komemorative për Dr. Rushe Ramadani Rushiti do të mbahet të shtunën (12 prill 2025), me fillim në ora 11:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.
Të shtunën (05.04.2025) disa fshatra të regjionit të Ferizajt do të përballen me ndërprerje të planifikuar të energjisë elektrike, si pjesë e punimeve për mirëmbajtjen e rrjetit.
Sipas njoftimit nga KEDS, ndërprerja do të zgjasë nga ora 09:30 deri në 14:30 dhe do të prekë fshatrat Greme, Gaçkë, Burrnik, Izhancë, Kashtanjevë, Bajincë, Semajë, Prushaj dhe Sllatinë si dhe disa biznese private në këto zona.
Ndërhyrja teknike përfshin ndërrimin e shtyllave dhe izolatorëve të dëmtuar, shtrëngimin e përçuesve dhe pastrimin e trasesë për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të rrjetit elektrik.