Janë deputetë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosjes. I fikën automobilët dhe me biçikleta ia mësyjnë fshatit Nerodime të Ferizajt, në Ditën ndërkombëtare të Ajrit të Pastër. Jo për të thithur ajër të pastër, por të pastruar hapësirën tek Bashkimi i lumenjve.
Rrugës u vërejt lodhja, por për Kryetarin e Vetëvendosjes në Ferizaj, Valon Ramadani ishte më e rëndësishme, që Ferizaj, të ketë më shumë gjelbërim dhe mjedis të pastër.
“Sot ne si Qendër e LVV-së së bashku me aktivistë e deputetë kemi pasur një aktivitet për ditën ndërkombëtare të ajrit të pastër. Motoja e këtij aktiviteti ka qenë “Për tokën, ujin dhe ajrin” dhe aktivistët iu bashkëngjitën këtij aktiviteti me biçikleta nga sheshi i qytetit deri në Nerodime dhe pasi që erdhëm këtu kemi vazhduar me aktivitetin tjetër, pra pastrimin e ambientit që ishte i mbushur me mbeturina e këto pjesë të Ferizajt janë mushkëritë e qytetit dhe duhet të jenë të pastra”.
Valon Ramadani – Kryetar i Vetëvendosjes në Ferizaj
Kësaj kauze për pastrimin e këtij vendi iu bashkangjit edhe aktivistja e mjedisit dhe njëkohësisht kryesuesja e Komisionit për Mjedis në Kuvendin e Kosovës, Fitore Dalipi-Pacolli, e cila thotë se po mungon kujdesi ndaj natyrës.
“Me gjithë dëshirë iu bashkangjita këtij aktiviteti të aktivistëve të Ferizajt, ku erdhëm me biçikleta dhe të pastrojmë këtë pjesë të bukur të Ferizajt. Ky është mesazh për gjithë qytetarët e Kosovës, sepse ashtu siç e trajtojmë ne natyrën ashtu na trajton ajo ne. Nëse ne e ndotim natyrën, ujin, tokën, e ndotim ushqimin të cilin e hamë. Nëse e trajtojmë natyrën me kujdes dhe e mbajmë të pastër atëherë edhe ne do të jemi më të shëndetshëm. Është shumë me rëndësi që të vetëdijesohemi si qytetarë që ta mbajmë vendin tonë të pastër sepse nuk kemi vend tjetër. Institucionet lokale duhet të kujdesen më shumë për mbeturinat, të krijojnë një sistem për mbledhjen e mbeturinave dhe qytetarët duhet të mbrojnë natyrën. Pashë që në këtë vend, qytetarët kalojnë një pjesë të mirë të pushimeve të tyre, atëherë pse mos ta mbajmë të pastër që kushdo që vjen ta ketë një ambient të mirë”.
Fitore Dalipi-Pacolli, Deputete e Vetëvendosjes
Teksa në këtë vend vazhdonte pastrimi, aty erdhi edhe një vizitor më interesant.
Të shtunën (05.04.2025) disa fshatra të regjionit të Ferizajt do të përballen me ndërprerje të planifikuar të energjisë elektrike, si pjesë e punimeve për mirëmbajtjen e rrjetit.
Sipas njoftimit nga KEDS, ndërprerja do të zgjasë nga ora 09:30 deri në 14:30 dhe do të prekë fshatrat Greme, Gaçkë, Burrnik, Izhancë, Kashtanjevë, Bajincë, Semajë, Prushaj dhe Sllatinë si dhe disa biznese private në këto zona.
Ndërhyrja teknike përfshin ndërrimin e shtyllave dhe izolatorëve të dëmtuar, shtrëngimin e përçuesve dhe pastrimin e trasesë për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të rrjetit elektrik.
Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të moshës së mitur të cilët ishin në kërkim për vjedhje të kryer në fshatin Dremjak, komuna e Ferizajt. Kështu numri i të arrestuarve për këtë vjedhje arrin në 5, pasi më 31 mars ishin arrestuar në flagrancë 3 të dyshuar.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se më 1 prill, me urdhër të prokurorit të shtetit dhe me pëlqimin e familjarëve, njësia e hetimeve të stacionit policor në Ferizaj, ka kryer bastisje në fshatin Talinoc i Muhaxherëve.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar përkohësisht disa stoli ari, të cilat pritet të krahasohen me rastet e raportuara të vjedhjeve në Ferizaj.
Si rezultat i këtyre bastisjeve, janë arrestuar dy të dyshuarit e fundit: E.H., 16 vjeç dhe V.L., poashtu 16 vjeç derisa mԯ herët janë arrestuar edhe A.H., 24 vjeç, A.H., 20 vjeç dhe E.S., 16 vjeç.
Me vendim të prokurorit të shtetit për të mitur, të dyshuarit janë ndaluar për 24 orë, thuhet në njoftimin e policisë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se do të mbajë sot konferencë për media për rastin e vrasjes të rreshterit të Policisë së Kosovës në Kaçanik, Muhamed Lika.
Konferenca do të mbahet nga ora 14:30, në objektin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
“Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z.Burim Çerkini, prokurori i çështjes z.Ismet Rrahmani, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, është vrarë në orët e vona të 1 prillit, në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.
Ceremonia e varrimit e të ndjerit do të mbahet pas orës 17:00 në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik, njoftuan familjarët përmes rrjeteve sociale.