Ferizajt i shtohet edhe një Festival, me karakter ndërkombëtar. Mbrëmë në qytetin e Ferizajt u përmbyll Festivali ndërkombëtar i fotografisë “Lens Fest“. Në këtë Festival ishin pjesëmarrës fotografë nga vendet e ndryshme po ashtu kishte pjesëmarrës edhe nga diaspora. Organizatorja Bardha Goga, na tregon për rrjedhën e Festivalit.
“Lens Fest është menduar para 1 viti me u organizu mirëpo për shkak të pandemisë që ishte në atë kohë e realizuam këtë vit, mirëpo edhe ky vit na gjeti prapë me pandemi por sido që të jetë ne prapë e realizuam “Lens Festin”, kjo është dita e fundit dhe hapja e një ekspozite kolektive me 16 emrat më të njohur të fotografisë shqiptare ndër vite. Juri për përzgjedhje nuk ka pasë, fotografitë që janë, përshembull në ekspozitë janë nga miqtë tanë fotografë, pra i kemi ftuar me ftesë nga ne të bëhen pjesë e kësaj ekspozite, ndërsa për pjesëmarrësit që kanë marrë pjesë patjetër që ka pasë juri, juria ka qenë e përbërë nga 3 persona që i kemi përzgjedhë punën më të mirë të tyre që e kanë pasur ata, sepse 100 persona kanë aplikuar dhe vetëm 15 persona janë përzgjedhë për ta vazhduar për me qenë pjesë e ligjëratave dhe trajnimeve.”
Bardha Goga – Organizatore e “Lens Fest“
Gjithashtu në këtë ekspozitë pos fotografisë kishte edhe aktivitete të ndryshme si vizita në galeri, trajnime me ligjërues mbi artin e fotografisë, aktivitete në natyrë dhe performanca muzikore.
“Ligjërues në këto 3 ditë trajnime kanë qenë profesori i mirënjohur shqiptar i fotografisë Afrim Spahiu i cili ka ligjëruar në ditën e parë për fotografinë analoge dhe digjitale, pra ju ka treguar të rinjve se si është përdorur më herët aparati apo kamera me film dhe se si përdoret tash kamera digjitale, pastaj ka qenë në ditë e dytë Arian Mavriqi, ku kemi qenë në fshatin Jezerc dhe ju ka treguar të rinjve për fotografinë e jetës së egër dhe pas kësaj kemi ardhur me një ligjëratë për historikun e fotografisë shqiptare nga unë dhe pastaj me trajnime nga fotografi i njohur i fotografisë së portreteve Arbër Elezi, i cili ka studiuar në New York, për fotografinë e portreteve dhe ka ardhur në festivalin tonë për t’i mësuar pjesëmarrësit në përdorimin e teknikës së dritës e po ashtu në realizimin e një fotoportreti sa më të bukur dhe sa më artistik.”
Bardha Goga – Organizatore e “Lens Fest“
Pos fotografëve të njohur që ishin pjesë e kësaj ekspozite ndërkombëtare të fotografisë ishte edhe kuratorja e kësaj ekspozite Rozafa Shpuza.
“Ishte shumë kënaqësi për mu kur mu bë ftesa me qenë kuratore e kësaj ekspozite, kjo është ekspozitë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e 16 artistëve që vijnë nga vendet e ndryshme të botës. Ideja e kësaj ekspozite ishe pak ndryshe se bëhet në një vend publik pra jo në një vend të mbyllur siç janë zakonisht ekspozitat e fotografisë, ekspozita mbahet në një nënkalim të ri të qytetit me qëllim që çdo kalimtarë, çdo njeri i thjesht që kalon që ndoshta nuk ka pas rast ndonjë herë me pa fotografi ose art të shfaqur përballë këtu e ka rastin me e pa. Ekspozita është e tillë e ndërtuar pra janë dy fotografi që kanë një qëllim të dyja bashkë e kanë një ide, e gjithashtu jam e kënaqur se unë vijë nga Shkodra, që është vendi i Marubit dhe djepi i fotografisë dhe them se unë do të jem ogur i mirë edhe i “Lens Festit”, të ketë vazhdimësi, pra ky të jetë fillimi që të bëhet për çdo vit dhe të mbledh sa më shumë fotografë nga e gjithë bota dhe Ferizaj pse jo të bëhet qendër e fotografisë.”
Rozafa Shpuza – Kuratore
Kjo ekspozitë ndërkombëtare e fotografisë do të vazhdoj edhe viteve të ardhshme që të sjell sa më shumë fotografë të rijnë dhe ndërkombëtar në qytetin e Ferizajt.
Fotografimi nuk është thjesht shkrepje. Për Rromir Imamin është vetëm kurorëzimi i një përpjekjeje të gjatë, që në vete përfshin tri procese të ndryshme. Harmonizimi i tyre paraqitet në portrete, që janë specialiteti artistik i fotografit shkupjan, por që jeton e punon në Zvicër.
“Portreti është bashkëpunim, vallëzim ose dyluftim. Domethënë ma merr mendja që në fotografi, sikur se edhe në zhanret e tjera, i kanë sfidat e veta, por fotografimi i personave ngërthen në vete shumë më tepër sesa vetëm njohuri teknike për fotografinë”, thekson Imami, teksa u referohet fjalëve përmbledhëse të fotografit britanik të portretit dhe dokumentaritetit, Platon. Pjesë të shprehjeve të tij, Imami ua ka transmetuar në fundjavë edhe një grupi të vogël të rinjsh që kanë marrë pjesë në punëtorinë e mbajtur në sallën e Galerisë së Arteve në kuadër të edicionit të dymbëdhjetë të festivalit ndërkombëtar të filmave të shkurtër, Ferfilm Fest, që ka nisur më 2 maj dhe përfundon sonte me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në orën tetë në sallën e teatrit “Adriana” në Ferizaj.
“Domethënë edhe gatishmëria që të krijosh njëfarë ndërlidhjeje me personin me të cilin e fotografon, jo detyrimisht me subjektin, sepse disi e distancon kur i thua subjekt personit që e fotografon”, thekson Imami. “Në të shumtën e rasteve, kur vijnë personat para aparatit, është sfiduese. Edhe unë e kam të vështirë para aparatit. Dalja para tij i ka ato sfidat e veta”.
Rromir Imami ne Ferfilm
“Dyluftim”
Gjatë punëtorisë, Imami, me prejardhje nga Struga, u ka lëshuar pjesëmarrësve copëza dokumentarësh për punën e fotografëve më të njohur të botës, duke përfshirë edhe intervista të tyre para, gjatë e pas procesit të punës. Janë alamet fotografësh që përdorin teknika të ndryshme për t’i përgatitur subjektet para “ngrirjes” së çasteve, që nuk reflektojnë vetëm pamjen e jashtme, por spikasin edhe gjendjen e tyre të brendshme emocionale.
Ka aso që preferojnë të jenë, sikurse thonë fotografët, pjesëmarrës në fotografi, duke bashkëpunuar me personat para aparatit, dhe të tjerë që konsiderohen vrojtues e të cilët i shkrepin aparatet pa u vërejtur nga të fotografuarit.
Imami, i cili ka goxha përvojë me shkrepjen e portretizimin fotografik të personave të zgjedhur nga fondacione të ndryshme derisa ndihmohen të ndërrojnë vende pune, ose të riintegrohen në shoqëri për shkak të përvojave të ndryshme që i kishin shkëputur më parë nga puna.
“Kjo ka qenë një prej përvojave më të jashtëzakonshme, për shkak se në të shumtën e rasteve është dyluftim në kuptimin që personat që vijnë aty, e kanë barrën e vetë të fatkeqësisë që iu ka ndodhur dhe ideja e atij portreti është një vazhdimësi e një procesi ku ata duhet të paraqiten para tregut të punës me një portret, me një prezencë, nuk them më të bukur, por them më të dinjitetshme”, thotë Imami.
Në të vërtetë gjatë gjithë intervistës, Imami ka theksuar kujdesin e tij të vazhdueshëm gjatë procesit të fotografimit për ta ruajtur dinjitetin e të fotografuarve.
“Shumicës nuk u pëlqen vetja në fotografi”
Dhe Imami thotë se në shumicën dërmuese të rasteve, personave të fotografuar nuk u pëlqen fotografia me pretendimin se nuk janë fotogjenikë. “Ose thonë se ‘e urrej aparatin’. Biles shkojnë deri në atë masë që thonë se ‘e urrej edhe vetveten'”, tregon Imami fjalët e të fotografuarve në projektet për riintegrimin e tyre në shoqëri.
Pavarësisht rezistencës së vazhdueshme të tyre, Imami luan me dritën për t’i paraqitur, sikur thotë, “në një dritë më të mirë”.
Imami bashkë me ta e bën përzgjedhjen e fotografisë më reprezentative. “Dhe është interesant se kur e shohin veten në fotografi, u rritet vetëbesimi, e shohin veten në një dritë tjetër dhe “ej, nuk dukem edhe aq keq'”.
Përtej shpagimit material për punën dhe përkushtimin profesional, ky ndryshim humori në mesin e të fotografuarve, e përmbush profesionalisht e emocionalisht Imamin. “Dhe kjo më bën edhe më tepër ta dashuroj fotografinë”, thekson ai, “sepse kur ata dalin prej studios, dalin me një përqindje, një ose dy për qind vetëbesim më të madh për vete, që për mua shkon përtej fotografisë teknike”.
Elemente të ngjashme spikaten edhe gjatë pjesëve të dokumentarëve të transmetuar me projektor, ku fotografët flasin gjerë e gjatë me figura të njohura botërore, si burrështetas superfuqish e fitues çmimesh Oscar, të cilët relaksohen me biseda për pasionet e qejfet e tyre, duke fuqizuar lidhjen me fotografin para se gjithçka të kurorëzohet me çastin e shkrepjes.
Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i mirënjohur, Mirush Kabashi.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij, të cilët nëpërmjet një njoftimi bëjnë me dije se Kabashi ka mbyllur sytë mesnatën e sotme, transmeton A2CNN.
“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Për sa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim” thuhet në njoftim.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.
Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në kinematografinë shqiptare.
Një pjesë të jetës së tij, Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.
Që prej vitit 2014 mbante titullin e lartë “Nderi i Kombit”, kurse më parë kishte edhe titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Rolet kinematografike:
Kronikë provinciale (2009)
Ne dhe Lenini (2008)
Nata (1998)
Edhe ashtu edhe kështu (1989)…. Babai i Almës
Binarët (film) (1987)
Telefoni i një mëngjesi (1987)….Kujtimi
Zëvendësi i grave (1987)……… Lisimak Voci
Nxënësit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi
Kohë e largët (1983) ………Asketi Lithan
Dora e ngrohtë (1983) ………Brahushi
Shoqja nga fshati (1980) ………Nasi (dajua i Tirkes)
Një ndodhi në port (1980) ……….Calamani
Gëzhoja e Vjetër (1980) ………Bake
Radiostacioni (1979) ……Një nga tekniket e Radios
Koncert në vitin 1936 (1978)… Toger Shazivari
Zani partizani (1976) (TV)….Partizan-vëlla i Zanit
Një kryevepër e Pikasos , e titulluar “Femme à la montre” (Gruaja me orë), pritet të shitet mbi 120 milionë dollarë kur të dalë në ankand më vonë gjatë vitit.
Piktura në vaj e vitit 1932, do të jetë në qendër të vëmendjes në ankandin dy-ditorë në Sotheby’s në Nju Jork në nëntor, kur edhe do të dalë në shitje koleksioni i Emily Fisher Landau.
Piktura me përmasa 130 x 96,5 centimetra, shfaq të dashurën dhe “muzën e artë” të Pikasos,
Marie-Thérèse Walter, e cila u portretizua në disa nga pikturat e tij.
Deri tani, disa nga veprat e Pikasos u shitën me shuma mbi 100 milionë dollarë, derisa në maj të vitit 2015, kryevepra e tij “Les femmes d’Alger” (Versioni “O”) u shit nga shtëpia e ankandeve Christie’s në Nju Jork për 179.4 milionë dollarë.