Kandidatja e LDK-së për kryetare të Ferizajt, Sibel Halimi nuk ka ndonjë ndalesë për të qenë pjesë e garës për të parën e Ferizajt.
Zyra për media e LDK-së në Ferizaj, ka konfirmuar për Televizionin Tema, se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka pasur një gabim teknik dhe se janë ridërguar dokumentet ku konfirmohet se Halimi është banore e Ferizajt.
“KQZ-ja është në fazën e shqyrtimit të kërkesave të subjekteve politike, kjo është vetëm fazë shqyrtuese, më pas do të vjen vendimi përfundimtar për certifikim. Kjo çështje është veç një gabim teknik nga ana e KQZ-së. Ne jemi në rregull sa i përket dokumentacioneve. Sibel Halimi është banore e komunës së Ferizajt, rrjedhimisht edhe kandidate për kryetare të Komunës.”, deklaruan nga zyra për media e LDK-së në Ferizaj.
Gazeta Infokus gjatë ditës së sotme kishte lajmëruar se nga dokumente të siguruara nga ta, Sibel Halimi nuk mund të garojë për kryetare të Ferizajt, sepse nuk është banore e këtushme.
“17. Kandidati për Kryetar Komune për Komunën e Ferizajt nuk është banor i Komunës së Ferizajt”, thuhet në dokumentin në fjalë.
Sibel Halimi është kandidatja e vetme grua në garën për të paren e Ferizajt.
Kandidatët tjerë janë Agim Aliu nga PDK, Valon Ramadani nga LVV dhe Arben Halili nga AAK.