Vendimin për tërheqjen e taksës doganore prej 30 për qind në importin e pemëve, perimeve dhe misrit nuk e kanë mirëpritur prodhuesit vendor.
Fermeri Muhamet Karalia nga fshati Pleshinë, i cili ka të mbjella 2 hektarë e 40 ari me perime të ndryshme, thotë se ky vendim i Qeverisë ua pamundëson shitjen e prodhimeve.
“Na dëmton se ne vjet e kemi parë vetin se ku jemi, pasi vitin e kaluar kanë ardhur artikuj të lirë nga Maqedonia e Serbia a ku po e di unë, aq shumë kanë ardhur artikuj të lirë sa që ne kemi punuar e kemi prodhuar pa fitim dhe 70% na ka shkuar dëm, e tash pasi i kanë liruar apet nuk është mirë, nuk është e drejtë, por ku po i dimë ne interesat e tyre”, tha Karalia.
Njohësi i fushës së bujqësisë dhe tregut Avdullah Isufi, thotë se vendime për masa mbrojtëse kanë të gjitha shtetet e rajonit dhe se të tilla janë shumë të nevojshme për përkrahjen e prodhuesve vendor.
“Fermerët vendor vazhdimisht kanë kërkuar që produktet e tyre gjatë pikës së vjeljes të mbrohen pasi kanë një kosto të prodhimit të lartë ndërsa ndodhë që ato t’i shesin nën koston e prodhimit, Ministria e Tregtisë e ka vu një masë para disa ditëve që pastaj ka qenë e detyruar ta heq, por nuk ka bërë konsultime paraprake, vërtet është për të ardhur keq mënyra se si janë deklaruar, këto masa i praktikojnë të gjitha shtetet përreth, si Serbia, Maqedonia, Shqipëria e Mali i Zi dhe masat që i marrin nuk i bëjnë publike në media, kemi rastin në Shqipëri vite të tëra bën barriera të tilla në patate dhe vezë në kohën kur vjen koha për eksport ata e mbrojnë produktin e vet dhe kemi parë storie kur prodhuesit tonë ankohen ministri jonë shkon në Tiranë dhe ata bëhen sikur nuk e kanë ditë dhe lajmëron se do ta heq këtë masë dhe kjo periudhë zgjatë një muaj kur vetëm se është arritur efekti atje, këtë ka qenë dashtë ta bëj edhe shteti ynë”, tha Isufi.
“Sot po e qet taksën, ndërsa nesër po e heq dhe me i thanë importuesit zvogëloj çmimet nuk ka mundësi kjo, sepse depot janë të mbushura me mall, tani çka ka ndodhë me këtë veprim, për dy ditë që importuesit që kanë shti mallra, siç është një firmë në Ferizaj për dy ditë i ka ardh pagesa shtesë 5 mijë euro dhe ka pas humbje të mëdha, ndërsa tani është heq ai vendim i barrierave dhe tani kush ua jep ato pare kësaj firme dhe që tri-katër ditë jemi duke punuar pa tarifë, ndërsa sa importuesi ka hyrë në Kosovë vlera e tyre për dytë ditë ka qenë 1 milion euro, tani kush ua jep ato para atyre”, tha Kastriot Shabani.
Për tërheqjen e masave mbrojtëse, të acaruar shprehen edhe qytetarët.
“Shumë gjynah po më vjen për fermerët tanë që e bëjnë prodhimin edhe nuk munden me shitë, shkon posht, duhet shteti në kufi me i ndalë, prej Greqisë vjen domatja duke e pasur këtu në vend, turp është”, tha Vehbi Terzia.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave mbrojtëse për pemë, perime dhe misër nuk zgjati më shumë se dy javë.