Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Politikë dhe Financa u shqyrtuan gjashtë propozim-vendime për shpalljen e interesit të përgjithshëm të ngastrave kadastrale.
Gjatë këtij takimi, Drejtori i Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë së Ferizajt, Sabri Murseli, propozoi që rendit të ditës t’i shtohen edhe dy pika të reja, shpallja e interesit të përgjithshëm të një ngastre kadastrale në Gaçkë dhe që pjesa e parkut të”Lirisë”, ku ishte paraparë të ndërtohej spitali i Ferizajt t’i kthehej në pronësi Komunës.
Të gjitha pikat e rendit të ditës kaluan, përveç pikës shpalljes së interesit të përgjithshëm të një ngastre kadastrale në Nikadin.
“Është kriju një rrugë e re mes dy pronarëve të dy parcelave që shkon deri në fund. Sefa shtëpinë diku 4 ari e ka në pronë publike, ka ba kërkesë që të rregullohet çështja e kësaj shtëpie që e ka në pronë publike, ka ofru këmbim që kjo rrugë të kalojë në pronë publike. Pjesën përballë Alush Berisha e ka ofruar falë dhe kështu bëhet rruga publike në atë pjesë të parcelave.
Kërkesa e tij është që prona nën shtëpi të kalojë në emër të tij privat në mënyrë që ta rregullojë çështjen juridike sepse kur e ka ndërtu shtëpinë para 5 vjete nuk i ka pasë kë këto informata”.
E pas kundërshtimit të anëtarëve të Komitetit, kjo pikë nuk kaloi.
“Nuk i mbështesim uzurpatorët, nëse është uzurpator nuk e mbështes” u shpreh Rafiz Sejdiu nga PDK.
Vërejtje pat edhe Xhavit Zariqi nga AAK
“Edhe me ja legalizu pronën e uzurpune, plus me ja shtru asfalt, kjo nuk ka logjikë. Në vend që me denu ne po e favorizojmë hala… Nuk ka logjikë as me e qitë në rend dite e leje me miratu. E ka maru shtëpinë në pronë të Komunës tash po ja shtrojmë asfalt e kishe në shërbim të qytetarëve, nuk ka logjikë drejtor. Në pronë të tij po shkon po shtron asfalt edhe po ia rritë vlerën nja pesëfish, e ata që janë në rregull s’ka gajle se janë mirë. Ai ka të drejtë me ba kërkesë po na jo me ia aprovu, une jo se nuk ka asnjë logjikë”.
Pikat që kaluan në komitet për financa do të shqyrtohen në seancën e Kuvendit Komunal të Ferizajt, e cila është thirrur të mbahet më 18 qershor.