KFOR-i amerikan në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj, kanë shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike për 10 familje në nevojë.
Shpërndarja e këtyre pakove u bë në oborrin e Policisë së Kosovës në Ferizaj.
“KFOR-i amerikan sot ka dhënë një donacion për Policinë e Kosovës, e Policia e Kosovës pastaj në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale, të cilët kanë identifiku 10 familje që do t’iu shpërndahet ky donacion që kryesisht janë artikuj ushqimor dhe higjienik, por ka edhe mbathje dhe veshje” tha Basri Shabani, Drejtor i Policisë në Ferizaj.
E, kapiteni i KFORI-t amerikan Joshua Noble, thotë se synim i tyre është që të ndihmojnë kosovarët, prandaj edhe po organizojnë aktivitete të tilla.
“Policia ushtarake e kampit ”Bondsteel” me treguan se kishin disa artikuj që donin t’i dhuronin dhe dëshironin ta bënin këtë përmes Policisë së Kosovës, e unë si komandant e përgatita këtë aktivitet. Synimi ynë si KFOR është që të ndihmojmë kosovarët, prandaj ne ia dhamë donacionin Policisë dhe ata ta japin donacionin tek familjet që i konsiderojnë në nevojë. Ne jemi këtu që gjashtë muaj dhe kemi bërë një numër aktivitetesh në Ferizaj, Viti, Shtime, Kamenicë dhe të pesë ekipet e mia janë çdo ditë duke bërë aktivitete në komunitet e ky aktivitet ishte i rëndësishëm për mua, prandaj iu bashkova”, tha Joshua Noble nga KFOR-i amerikan.
Misin Osmani nga Qendra për Punë Sociale, tregon për përzgjedhjen e familjeve përfituese.
“Kriteri i përzgjedhjes ka qenë gjendja e vështirë ekonomike dhe prindërit ushqyes dhe familjet më të ndjeshme që kanë përparësi. Nevojat janë të mëdha, e këto aktivitete e ndihmojnë sado pak gjendjen e këtyre familjeve”, tha Misin Osmani, U.D i Udhëheqësit të Skemës Sociale.
Në Qendrën për Punë Sociale janë të regjistruara 1 mijë e 38 familje ferizajase që marrin ndihmë sociale.