Sot është dita e fundit e muajit të shenjtë për myslimanët, muajit të Ramazanit. Pas një muaji agjërim, nesër më 13 maj do të falet namazi i Fitër Bajramit.
Megjithatë, falja sivjet do të jetë më ndryshe për shkak të masave anti-Covid.
Kryeimami i Bashkësisë Islame në Ferizaj Sylejman Roshaj, tregon se xhamitë do ta falin namazin e Fitër Bajramit me gjysmën e hapësirës dhe se xhematlitë duhet t’i kenë sexhadet e tyre me vete.
“Namazin e sabahut nuk do të mund ta organizojmë në xhami, sepse është brenda periudhës së orës policore. Nëpër xhami do të organizohet vetëm falja e Bajramit dhe atë në afatin sa më të shkurtër sipas sugjerimeve që edhe imamët ta mbajnë hutben e Bajramit të shkurtër që xhematlitë të mos qëndrojnë gjatë në vende të mbyllura dhe në xhamitë tona do të jenë masat prezente edhe maskat edhe distanca dhe numri do të jetë më i kufizuar sesa herave të tjera”, thotë Roshaj për Tv Tema.
Kryeimami tutje tregon se falja e Bajramit kësaj here nuk do të bëhet në hapësira publike apo në sallën e sporteve në Ferizaj.
“Shkaku i pandemisë nuk kemi mundur të organizojmë faljen e Bajramit as në palestër as në shesh, për shkak se do vinte një turmë e madhe dhe në hapësirë publike nuk ke mundësi me e pas kontrollin 100%, prandaj për t’u ruajtur jemi organizuar vetëm nëpër xhami”, theksoi ai.
E, në Xhaminë e Madhe në Ferizaj për nder të festës së Fitër Bajramit u shpërndanë dhurata për fëmijët ferizajas.
“Gjatë tërë muajit të Ramazanit kemi qenë në adhurim ndaj të madhit Zot, pjesë e adhurimit është edhe respekti ndaj të moshuarve dhe ndaj fëmijëve. Pejgamberi ynë Muhamedi A.S ka thënë: Ai i cili nuk i mëshiron fëmijët dhe të moshuarit nuk është prej nesh. Ka qenë prej traditave të të parëve tanë që fëmijët të gëzohen për festat e Bajramit. Ne e kemi bërë një dhuratë dhe i falënderoj donatorët për dhurimin e mjeteve fiannciare për këtë organizim”, tha Mustafë Ahmeti, imam i Xhamisë së Madhe në Ferizaj.
Namazi i Fitër Bajramit do të falet në orën 5:53, ndërsa xhamitë do të hapen 10 minuta para faljes së Bajramit.