Punimet që janë duke u zhvilluar në projektin “Bashkimi i Qytetit” në Ferizaj, po u shkaktojnë telashe banorëve të këtij qyteti.
Banorët e ndërtesës ku aktualisht janë duke u zhvilluar punimet në këtë projekt, po ankohen se u është dëmtuar sistemi i kanalizimit, ku si pasojë e kësaj prishje bodrumet e dy hyrjeve të kësaj ndërtese janë mbushur me ujëra të zeza.
Ata tregojnë se problemet me ujëra të zeza në bodrume i kanë vërejtur prej më shumë se një javë, por se komuna e Ferizajt akoma nuk ka ndërmarrë asgjë për ta sanuar problemin.
Banorët të cilët nuk deshën të flasin para kamerës, thanë se ujërat e zeza në këtë bodrum janë mbi gjysmë metre dhe kanë bllokuar gjithë hapësirën.
Ndërkaq, Nazif Asllani, kryeshef i kompanisë së ujësjellësit dhe kanalizimit “Bifurkacioni”, tregon se vazhdimisht kanë probleme me punëkryesit në të gjithë qytetin të cilët e dëmtojnë sistemin e kanalizimit, nuk i pastrojnë pusetat, e madje dhe i mbyllin ato. Ai bën apel tek operatorët ekonomik, por edhe tek qytetarët që të tregojnë kujdes me puseta dhe në raste të mbylljes të ftojnë këtë kompani për t’i pastruar ato.
“Kompania është në dijeni, para një jave kemi marrë ankesën nga një banor. Ekipet e tona kanë dalë në vendin e ngjarjes me automjetet të cilat i kemi, por cisterna që e kemi për momentin në gjendje të rregullt ka tentu, por nuk ka pas sukses. Ne, sot ose nesër do ta rregullojmë cisternën dhe po shpresojmë që nesër me të dy automjetet do ta rregullojmë edhe këtë defekt dhe do e bëjmë debllokimin e kanalizimit”, tha ai.
Rreth kësaj çështje Televizioni Tema ka tentuar të flasë edhe me drejtorin e Infrastrukturës në Ferizaj Arbër Bytyqin, zëdhënësin e komunës së Ferizajt Albion Sherifin dhe përgjegjësin e projektit “Bashkimi i Qytetit”, Meriton Hajdini, por që të tre nuk pranuan të deklarohen.