Anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa të komunës së Ferizajt, u mblodhën sot për t’ia proceduar Asamblesë Komunale pikat e rendit të ditës e që paraprakisht ishin planifikur 7 propozim-vendime. Por, në momentin e fundit ekzekutivi i Ferizajt i propozoi Komitetit edhe 6 pika të tjera, në mesin e të cilave ndarjen e mjeteve financiare për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për familjet me gjendje të rëndë sociale dhe propozimin për ndarjen e mjeteve për ndërmarjen ”Stacioni i Autobusëve” në mënyrë që të paguhen nga dy paga për punëtorët e kësaj kompanie.
Shtimi i këtyre pikave ngjalli reagimin e anëtarëve të Komitetit për Politikë e Financa.
“Vërtet nuk është serioze me propozu pika të rendit të ditës jashtë propozimit të rregullt. 7 pika i kemi të përcaktuara në material dhe 7 të tjera propozohen të futen këtu, e të cilat nuk kanë fare rëndësi, është dashur me kohë me i propozu nëse janë urgjent. Mund të futet një ose dy pika, por kështu nuk ka asnjë kuptim, vërtet nuk është serioze sepse asnjëra nuk e ka me urgjencë”, tha Xhavit Zariqi nga AAK-ja.
“Sa i përket pikave që i kemi sjellë sot nuk mendoj që janë aq të parëndësishme. Nga ”Stacioni i Autobusëve” e kemi marrë me vonesë kërkesën e tyre që nuk ka mundur t’i realizoj pagesat e punëtorëve dhe komuna është aksionare e kompanive dhe duhet ta ndihmojmë, prandaj nuk kemi mundur në fillim me propozu”, tha Sebahate Ajeti-Sadiku, drejtoreshë e Financave.
Dy propozime të tjera që ngjallën reagime ishin ato të Drejtorisë së Pronës për shpallje të interesit të përgjithshëm të një ngastre kadastrale në Rahovicë dhe një në Ferizaj.
“Ky propozim ka të bëj me shpallje të interesit të përgjithshëm të pjesës së ngastrës kadastale 674-0 zona kadastrale në Rahovicë me sipërfaqe 1 ari e 25. Është paralajmërimi i fundit se do t’i drejtohet gjykatës“, tha Sabri Murseli, drejtor i Pronës.
“Rruga Rahovicë-Kishnapole është projekt i ministrisë dhe ministria duhet t’i kryej kompensimet, nuk është dashur me pranu, unë po iu them që jeni duke i bërë punët shkel e shko, pse me kompensu komuna?!”, tha Xhavit Zariqi.
Seanca e Kuvendit të Ferizajt do të mbahet pas 3 dite.