Spitali i Ferizajt është furnizuar me 20 shtretër nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, në mënyrë që të rritet kapaciteti i këtij spitali për të trajtuar pacientët me koronavirus, pas shtimit të numrit të personave të shtrirë aty.
“Sot kemi pranuar 20 shtretër të ri që janë të nevojshëm dhe të domosdoshëm, ne si institucion kemi pasur mungesë të shtretërve, po ashtu përpos këtyre 20 shtretërve do ta na vijnë edhe 30 të tjerë dhe në këtë mënyrë kemi një kapacitet të shtuar prej 20 shtretërve”, tha drejtori i Spitalit Jeton Zeqiri.
Drejtori i Spitalit të Ferizajt Jeton Zeqiri, tha se në bazë të situatës parashohin hapjen e qendrave Covid edhe nëpër fshatra, për të krijuar hapësira për pacientët që kanë nevojë për trajtim spitalor.
“Në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së ne e presim një rritje pas 10 dite, kështu që ne jemi duke e bërë një organizim dhe shumë shpejtë do ta mbajmë një mbledhje të shtabit që në rast të eskalimit të situatës të gjejmë hapësira të reja siç janë shkolla në fshatin Lloshkobare dhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Nerodime që mund t’i ngrisim si reparte për trajtimin e Covid-it”, theksoi Zeqiri.
Në mesin e pacientëve të shtrirë në Spitalin e Ferizajt është edhe bashkëshortja e Ali Azemit, i cili thotë se gjendja e saj ka qenë shumë e rëndë.
“Unë e kam kalur mjaft mirë, po ashtu edhe anëtarët e tjerë, por një sulm i veçantë i është bërë bashkëshortes në frymëmarrje dhe ka pasur shumë probleme dhe me të vërtet ka qenë në situatë të rëndë, 3-4 javë ka qenë në Prishtinë, ndërsa tani është këtu dhe ende është në oksigjeno-terapi. Covid-in e ka kaluar, por është duke i shëruar pasojat që ky virus ia ka lënë“, tha Azemi.
Ai apelon tek qytetarët që t’i respektojnë masat anti-Covid, meqë përveç problemeve shëndetësore, trajtimi i këtij virusi ka edhe kosto të lartë.
“Barnat kanë kushtuar deri në 300 euro, i ka paguar vajza, kështu që kushton mjaft shumë, është absurde për ata që nuk besojnë se ky virus është dhe e falsifikojnë një realitet që është duke i ndodhur popullsisë, prandaj u bëj apel që t’i respektojnë rekomandimet e dhëna për mbrojtje“, tha Azemi.
Derisa gjatë ditës së djeshme numri i pacientëve të shtrirë në spitalin e Ferizajt ishte 55, ky numër sot ka shkuar në 58.