Nga votat e numëruara deri tani, pa llogaritur votat me kusht dhe ato me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 60.59% të votave në Ferizaj.
Ky dyfishim i votave të Vetëvendosjes krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ka dëmtuar më së shumti Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ka humbur 2/3 e elektoratit të vet, pasi nga 27.41% ose 12,871 vota sa kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2019, LDK ka rënë në vetëm 9.14% ose 4,753 vota.
Përgjysmim të votave ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila nga 3,363 vota që kishte në vitin 2019, kësaj radhe mblodhi 1,664 vota.
Edhe Nisma Socialdemokrate pësoi humbje të madhe të elektoratit, pasi dje fitoi vetëm 790 vota krahasuar me zgjedhjet e kaluara kur kishte mbledhur 2,325 vota.
Kurse Partia Demokratike e Kosovës, e cila udhëheq me qytetin e Ferizajt ka pësuar rënien më të vogël karshi partive tjera konkurruese.
PDK në këto zgjedhje fitoi 11,439 vota ose 21.99% nga 13,238 vota ose 25.42% sa kishte në zgjedhjet e vitit 2019.
Në zgjedhjet e djeshme votuan 53,798 ferizajas ose 51.39% nga lista e përgjithshme e votuesve në këtë qytet.