Kandidatët për deputetë në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Muharrem Svarqa, Saranda Musliu e Fadil Haliti, vizituan institucionet shëndetësore në këtë qytet.
Muharrem Svarqa i cili është kryetar i LDK-së në Ferizaj, tha se kandidatët e kësaj partie do të jenë zëri i punonjësve shëndetësor në Kuvendin e Kosovës.
”Unë e përgëzova stafin për angazhimin e bërë dhe u garantova që kandidatët e LDK-së do të jemi zëri i tyre në institucionet më të larta me zotimin se do të jemi konsekuent në luftimin e përfitimeve qoftë për investime infrastrukturore të objekteve të shëndetësisë në Ferizaj, por edhe të rritjes së stafit të mjekëve dhe personelit tjetër ndihmës në raport me rritjen e numrit të banorëve të komunës që për fat të keq që nga regjistrimi i popullsisë vazhdon të mbetet si një mollë sherri që është shndërruar në pengesë të rritjes së këtij stafi, sepse sipas statistikave Ferizaj i ka vetëm 108 mijë banorë, ndërsa numrat real janë afërsisht 150 mijë banorë”, tha Svarqa.
Svarqa falënderoi mjekët dhe infermierët për angazhimin e tyre gjatë pandemisë.
“Mora edhe informacione se janë të shtirë 16 pacientë në spital, ku në raport me përmasat që kanë qenë të shtirë në spital sot numri i tyre është më i vogël që është rezultat i menaxhimit të stafit. Po ashtu vizituam edhe QKMF-në dhe u impresionuam me rritjen e cilësisë së shërbimeve në Spitalin e Ferizajt dhe për gatishmërinë për punën e mëtejme në favor të realizimit të misionit të tyre human”, tha Svarqa.
Në kuadër të fushatës zgjedhore, kandidatët e LDK-së në Ferizaj kanë zhvilluar takime edhe me qytetarë.