Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës Albin Kurti, ka vizituar kompaninë e cila merret me grumbullimin, shitjen dhe distribuimin e frutave dhe perimeve “Doni Fruits” në Shtime.
Kurti nga aty premtoi se me ardhjen e tij në krye të qeverisë, do të lehtësoj ambientin e të bërit biznes në Kosovë.
“Padyshim që komunitetit të biznesit të këtillë ne do t’i jemi gjithmonë pranë, ata që zëvendësojnë importin e rrisin eksportin, ata që rrisin punësimin, ata që hapin linja të reja të prodhimit ne do t’i mbështesim. Këtu nuk do të neglizhojmë Bankën Zhvillimore për kredi të buta dhe afatgjate që të zvogëlohet interesi i kredive dhe të zgjerohen grejs periudhat kur duhet me fillu me i pagu kamatat. Ne gjithashtu zotohemi para juve, është sundimi i ligjit, që mos të detyrohet ekonomia e bardhë të hyjë në konkurrencë me ekonominë e hirtë”, tha Kurti.
Gjatë vizitës në këtë kompani, Kurti u njoftua nga pronari i këtij biznesi Ejup Ahmeti për vështirësitë me të cilat përballen.
“I kam 2-3 kërkesa që janë bazë për me i dhënë kahje sipërmarrësve. Ne kemi disa problematika siç është TVSH-ja 18%, tjetra t’i jepet rëndësi informalitetit, po përkëdhelen disa të tjerë për të mos na dhënë neve të drejtëve të cilët duam të kontribuojmë për shtet, tjetra problematikë është në doganë. Janë këto tri shtylla që neve do të na e lehtësonin shumë zgjerimin”, tha Ahmeti.
Pas vizitës në këtë kompani ku edhe mbolli një pemë në hapësirat e këtij biznesi, Albin Kurti u nis drejt qytetit të Shtimes ku po e priste kryetarja e listës “Guxo” Vjosa Osmani, me të cilën marshuan sheshit të këtij qyteti bashkë me qytetarë.