Lëvizja për Bashkëveprim është subjekti më i ri i regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që për herë të parë do të jetë pjesë e zgjedhjeve në vend.
Me seli qendrore në Ferizaj, përfaqësues të këtij subjekti thonë se Lëvizja për Bashkëveprim është themeluar për të ngritur zërin qytetarë dhe për të mbrojtur interesat e komunitetit ashkali.
Jeton Emin nga ky subjekt politik, thotë se komuniteti pakicë nuk ka pasur asnjë parti që i ka përfaqësuar denjësisht ata.
“Lëvizja për Bashkëveprim më së shumti është krijuar për shkak të mllefit politik ndaj partive tjera që janë në skenën politike për shkak të mospunës, angazhimit e premtimeve të parealizuara, prandaj ne kemi ofruar edhe një ofertë politike e cila është ofertë për qytetarët”, tha Emini.
Emini thotë se gjatë procesit të regjistrimit ka pasur tentime për t’ua ndalur regjistrimin si parti.
“Si parti të reja duhet të mbledhen mbi 1 mijë nënshkrime dhe ne e kemi bërë këtë, por kemi pasur edhe sulme me tendenca që me na largu nga gara politike, kemi pas edhe njoftime që krejt në fund na kanë njoftu me mbledh nënshkrime shtesë, por ne i kemi bërë të gjitha dhe sot jemi pjesë e garës dhe është partia e parë që i ka përmbushur kriteret për regjistrim”, tha Emini.
Emini i cili është edhe kandidat për deputet në këto zgjedhje nga ky subjekt, thotë se Lëvizja për Bashkëveprim nuk synon që të marrë pozita udhëheqëse, por pretendon gjithëpërfshirjen në të gjitha dikasteret.
“10 pikat e LPB fokusohen në përmirësimin e jetës së qytetarit, është banimi i qëndrueshëm, punësimi, zhvillimi ekonomik është pikë e veçantë sa i përket programeve politike që bëhen tek komunitetet e tona, siç dihet komunitetet kanë probleme me plotësimin e aplikacioneve për të apikuar në skema dhe ne kemi menduar që të hapim zyre të veçanta për këto probleme që kanë qytetarët tanë. Pikë tjetër është shëndetësia dhe mirëqenia sociale, arsimi, kultura si dhe përfaqësimi politik, ku tek kjo e fundit partitë që kanë qenë janë fokusuar tek pazaret politike të tipit të zëvendësministrit, ne nuk jemi të fokusuar tek këto pozita, por tek gjithëpërfshirja në dikastere ku më së shumti kemi nevojë”, tha Emini.
Lëvizja për Bashkëveprim në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garoj me 25 kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës.