Renovimet në objektin e bibliotekës së qytetit ”Sadik Tafarshiku” të filluara në vitin 2019, siç duket nuk do të përfundojnë shpejt. Punimet aty janë ndalur, ndërsa drejtues të këtij institucioni nuk janë në dijeni pse ka ndodhur një gjë e tillë.
“Renovimi pati filluar në fund të vitit 2019, faktikisht kati i dytë ka përfunduar, janë sistemuar librat, mirëpo kati i parë ka mbetur pa përfunduar dhe jashtë funksionit ka mbetur salla e leximit për fëmijë dhe disa sektorë të tjerë, është pak telashe pasi kati i parë është jashtë funksionit dhe jemi në pritje që të përfundojnë punimet, madje ne kemi parashtruar edhe një kërkesë në Drejtorinë e Kulturës që të shpejtohen punët e renovimit dhe jemi duke pritur përgjigje”, tha Teuta Demiri, drejtoreshë e bibliotekës.
Demiri thotë se edhe pasurimi i fondit librar është në rrezik, pasi nuk kanë ndonjë projekt të ri për furnizim të librave, përveç atij të mëhershmit që ishte ndarë gjatë qeverisë së kaluar në vlerë prej 100 mijë eurove.
“Librat janë duke ardhë nga një projekt i mëparshëm që jemi duke i regjistruar dhe zakonisht po pasurohet fondi librar edhe me libra që dhurohen nga persona të ndryshëm si poetë, shkrimtarë, kështu që po presim që fondi librar të pasurohet në vazhdimësi”, tha Demiri.
Gjatë ditës Televizioni Tema e pati të pamundur të marrë një përgjigje nga Drejtoria e Kulturës për këtë çështje.