Reshjet e shumta të shiut dhe borës kanë ngritur dyshime tek qytetarët se uji i pijes është turbulluar.
Por, një gjë e tillë mohohet nga menaxhmenti i kompanisë rajonale të ujit “Bifurkacioni” në Ferizaj. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj kompanie Nazif Asllani, thotë se reshjet e shiut kanë shkaktuar telashe në sistemin e fabrikës së ujit në Pleshinë, por jo edhe në cilësinë e tij. Ai i garanton qytetarët se uji që furnizon ata nga fabrika e Pleshinës është i pijshëm.
“Reshjet e shiut edhe në Ferizaj në sistemin e ujësjellësit kanë shkaktuar telashe, lumi me vete ka sjell drunj e gurë të mëdhenj, por ne kemi intervenuar qysh dje dhe është bërë zhbllokimi, mirëpo ka pasur edhe turbullira të mëdha dhe ka qenë e pamundur me furnizu qytetin normal me ujë të pijes. Mbrëmë e kemi ndalë ujin më herët që me u mbush rezervuarët, mirëpo ajo sasi që ka qenë është e pamjaftueshme për qytetin. Qyteti momentalisht ka ujë, është i pijshëm dhe është me standarde, mirëpo nuk ka presion të mjaftueshëm”, tha Asllani.
Se uji i pijes që del nga fabrika e Pleshinës është cilësor e thotë edhe laboranti i kësaj fabrike, Safit Halili.
”Sa i përket reshjeve mundet me pas ç’rregullime dhe mund të ketë dyshime në kualitetin e ujit, por e vërteta është se kualiteti i ujit është në nivel të duhur dhe nuk ka fije dyshimi, me plot përgjegjësi e them si përfaqësues këtu, në laboratorin tonë parametrat që duhet të jenë janë në nivelin e duhur, prandaj nuk duhet fare qytetarët të kenë dyshime. Asnjë pikë uji nuk e lejojmë me shku tek qytetarët pa e përpunuar, ne në çdo sekond e përcjellim qarkullimin e ujit brenda fabrikës këtu, ndërsa në pjesën e qytetit ne nuk japim përgjegjësi”, tha Halili.
Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Ferizaj, Sevdije Mehmeti, përmes telefonit tha se mostrat e fundit të ujit që janë marrë në Ferizaj kanë rezultuar se uji në këtë komunë është brenda standardeve të parapara për pije.