Nënkalimi në fshatin Varosh të Ferizajt është bërë i pakalueshëm, për shkak të reshjeve të shumta të shiut. Nga uji që është grumbulluar aty, disa vetura kanë mbetur në të. Për të treguar për rrezikun, aty janë vendosur edhe shirita sinjalizues.
Balton Dërguti asamblist në Kuvendin e Ferizajt, e që vjen nga kjo anë, thotë se një gjë e tillë ka qenë e ditur se do të ndodhë, meqë projekti nuk është menduar si duhet.
“Unë e kam potencuar me kohë që kur ka filluar të realizohet ky projekt, pjerrtësia që e ka nënkalimi është shumë e madhe dhe do të ketë shumë pasoja edhe gjatë dimrit për shkak të ngricave, madje nuk dihet nëse është rregulluar si duhet edhe pjesa e gypave të kanaleve atmosferike, por përveç kësaj gjendje aktuale nga të reshurat, probleme më të mëdha do të ketë edhe kur të bëhen ngricat e borës, do të ketë aksidente të shumta. Nuk e di se si e ka menduar projektuesi këtë thellësi kur këtu ka pasur mundësi që të jetë një pjerrtësi e gjatë“, tha Dërguti.
Për këtë situatë të krijuar në nënkalimin e fshatit Varosh nuk kanë munguar as kritikat e qytetarëve nëpër rrjetet sociale, duke akuzuar ekzekutivin për punime jo cilësore në këtë projekt. Ndërsa, përfaqësues të komunës arsyetohen se fatkeqësitë natyrore nuk zgjedhin vend për dëme.
“Fatkeqësia natyrore nuk zgjedh vend dhe hapësirë, nuk ka të bëjë aspak me cilësinë e punimeve të projektit, ne kemi parë gjatë këtyre ditëve në gjithë Kosovën, por edhe në Evropë që vërshimet kanë hyrë në çdo vend, prandaj nuk mund të flasim për cilësinë e punimeve e të projekteve, por thjesht është një sasi e madhe e ujit e shkaktuar nga reshjet e pandërprera”, tha Albion Sherifi, zyrtar për media në komunën e Ferizajt.
Si pasojë e reshjeve të shiut është mbyllur edhe magjistralja Ferizaj- Gjilan, ku edhe në këtë rrugë nga grumbullim i ujit kanë mbetur të ngujuara shumë automjete si dhe janë shkaktuar dëme nëpër biznese që operojnë skaj kësaj rruge.
Banorët e kësaj ane fajësojnë qeverisjen lokale që nuk e ka zgjidhur me kohë problemin e gypave.
“Që sa vite është i njëjti problem, nuk është bërë asnjë zgjidhje, nuk mundemi me shku tek lokalet që punojmë këtu, kanë mbetur veturat në mes të ujit. Ka një vit që ka shpërthyer gypi, e kemi lajmëruar rastin por ende nuk ka asgjë”, tha Daut Ibrahimi, banor i Sojevës.
“Qysh para 9 muajve është ky problem pasi gjatë punimeve në tensionin e lartë është bërë një avari këtu, disa herë e kemi njoftuar komunën, është urdhëruar që të intervenohet, por për shkak të mosmarrëveshjeve me kompaninë, siç duket, nuk kanë ardhë, kështu që kjo është situata dhe derisa nuk sanohet kjo gjendje nuk do të ketë rehati”, tha Sylejman Syla nga fshati Sojevë.
Përveç këtyre dy zonave, gjendje e njëjtë është edhe në fshatin Koshare, Muhoc, si dhe rruga kryesore në Prelez.