Mëngjesi i sotëm i zuri në befasi banorët e Varoshit, kur e kuptuan se nënkalimi i ri në daljen kryesore të fshatit të tyre ishte i tëri i mbytur në ujë. Disa vozitës nga ky fshat e patën vështirë të depërtonin nëpër nivelin e lartë të ujit që ishte mbledhur aty dhe u detyruan të gjejnë rrugë alternative të daljes nga fshati.
(11 Janar 2020, FB) në foto, disa vozitës të ngujuar tek nënkalimi në Varosh
Dikush nga përgjegjësit e projektit e ka bërë mbylljen e përkohshme të këtij nënkalimi me shirita të verdhë, që të parandalohet mundësia e ndonjë aksidenti të sërishëm në projektin e infrastrukturës “Bashkimi i Qytetit”, pjesë e të cilit është edhe nënkalimi tek fshati Varosh-Nikadin.
Ky nënkalim ishte hapur më 17 Nëntor 2020, dhe asokohësh nga ana e udhëheqjes komunale të Ferizajt u prezentua me pompozitet si një “vepër madhore” infrastukturore. Mirëpo fotot nga terreni po flasin se projektimi i drenazhimit të ujërave në këtë “vepër” ka lënë shumë për të dëshiruar, ndërkaq shumë qytetarë të Ferizajt tashmë kanë lansuar kritika përmes platformave online. Ndër ta ishte edhe deputeti i Vetëvendosjes nga Ferizaj, Enver Haliti, i cili mbledhjen e ujit tek nënkalimi i ri e “pagëzoi” me “Liqeni i Varoshit”. Që nga orët e para të mëngjesit, nuk mungojnë as idetë kreative të qytetarëve në Facebook, të cilët me humor e kritikojnë dështimin e sotëm në Varosh.
Policia në Ferizaj ka arrestuar një 20-vjeçar të dyshuar për veprën penale vjedhje e rëndë.
Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor, rreth orës 01:45, në rrugën “Ilir Konushevci”, ku nga një veturë u vodh një pistoletë, 21 fishekë dhe disa gjësende tjera.
Pas hetimeve dhe analizimit të kamerave të sigurisë, mbrëmjen e 26 dhjetorit, rreth orës 19:00, policia arrestoi të dyshuarin me inicialet E.P. në banesën e tij.
Gjatë kontrollit u gjetën fishekët dhe disa sende që i përkisnin viktimës.
“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet mes tjerash në raportin e policisë.
Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas Dr. Abaz Beqa.
Njoftimi u bë nga familjarët e të ndjerit.
Dr. Abaz Beqa përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe specializoi në gastroenterologji dhe hepatologji në Kroaci. Si njëri nga specialistët e plejadës së parë të mjekëve ferizajas , që nga viti 1978, ai shërbeu me përkushtim në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj.
Përveç angazhimit të tij profesional, Beqa ishte aktiv edhe në organizatën e mjekëve të pavarur dhe luajti një rol kyç në organizimin e spitalit për rastet emergjente. Ai gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në arsim, duke qenë mësimdhënës i hematologjisë për gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.
Mbledhja komemorative për të ndjerin Dr. Abaz Beqa, do të mbahet të premten, më 6 dhjetor me fillim nga ora 10:30, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, kurse ceremonia e varrimit do të bëhet në ora 12:00, në varrezat e reja të qytetit.