Se qytetarët dhe bizneset e Ferizajt shquhen për humanitetin e tyre, këtë e dëshmon edhe mobilizimi i fundit i tyre pas shpërthimit tragjik në restorantin “Steak House” më 5 Janar të këtij viti, me ç’rast u lënduan 44 persona, ku 6 prej tyre pësuan lëndime të rënda me djegie të shkallës së II-të dhe të III-të.
Pas apelit të familjarëve për ndihmë, u mobilizuan qytetarë dhe biznese nga vendi e mërgata, që të lënduarve t’u dalin në ndihmë me mjete financiare për shërim të tyre jashtë vendit. Falë presionit të madh publik, institucionet vendore u përkujdesën që më 7 Janar të aranzhojnë transportin dhe mjekimin e grupit të parë prej 4 të lënduarve drejt Turqisë, ndërsa dy të lënduarit e mbetur në Kosovë, Enver Xhokli dhe Fidan Gashi pritet që sot të dërgohen për trajtim në Austri.
Aksionit për mbledhjen e fondeve humanitare për shërimin e të lënduarve i priu fondacioni “Labinot Tahiri”, i cili deri sot ka tubuar rreth 100 mijë euro të kontributeve vullnetare nga qytetarë, biznese dhe mërgata.
Përveç tyre, nga bizneset e Ferizajt, në ndihmë familjeve u kanë dalë edhe Naser Hoxha, pronar i OXA Group, i cili ka kontribuar me 25 mijë euro dhe Xhevdet Rexhepi, pronar i Viva Fresh Store i cili për këtë qëllim ka ndarë 10 mijë euro.