Produkte nga më të ndryshmet, prej ushqimit e deri tek ato higjienike, ishin sot të ekspozuara në ambientet e qendrës tregtare “Plus Center” në Ferizaj. Ky panair i prodhimeve vendore, kishte sjellë në Ferizaj një numër të konsideruar të prodhuesve nga shumë komuna të Kosovës, por edhe nga Shqipëria. Të kënaqur për këtë mundësi të pjesëmarrjes, përfaqësuesit e firmave prodhuese shprehnin edhe ankesat për sfidat me të cilat ballafaqohen çdo ditë.
“Unë mendoj se prezenca jonë në këtë panair ku janë të ekspozuara produktet vendore është një privilegj, pasi që baca Sylë dhe ‘’Plus Center’’ kanë bërë një iniciativë të mrekullueshme, ndërkaq po jep një shembull të cilin të tjerët duhet ta ndjekin me promovimin e prodhimeve vendore. Ndryshe, prodhuesit vendor çdo ditë po përballen me një konkurrence jolojale, me një import të nivelit të lartë i cili shkakton telashe në çmim dhe në gjithçka tjetër“, tha Adnan Ibrahimi nga “Uji Miros”.
“Një përparësi për prodhimet tona që kryesisht janë farëra të imëta, është fakti që ne kemi arritur të eksportojmë edhe në pesë vende të ndryshme kryesisht në skandinavi. Sfida e pengesa ka shumë, por vullneti është që ia vlen mos të ndalesh. Normalisht fillimi është shumë i vështirë, pasi që për të arritur deri tek fitimi merr goxha kohë”, tha Gëzim Boshnjaku nga “Heyy SHPK” .
“Prej panaireve përfiton edhe prodhuesi, por edhe konsumatori, ne jemi në treg tash e tre muaj, por mund të them se kemi arritur shumë mirë të punojmë, pasi që kemi gjetur treg të mjaftueshëm për t’i shitur prodhimet tona që janë djathi, jogurti dhe kaçkavalli“, tha Donat Gojani nga qumështorja “Baresha” në Gjakovë.
“Prodhuesit vendor ballafaqohen me një serë problemesh, së pari grantet qeveritare nuk shkojnë në adresë të duhur”, tha Lulzim Isufi nga ‘’Biofruti’’.
Drejtues të Agjencisë Kosovare të Biznesit në Ferizaj, treguan se në bazë të hulumtimeve të fundit, konsiston që në 90 për qind të marketeve në Kosovë shiten produkte të huaja.
“Kjo nuk ka të bëj me qendrën ‘’Plus Center’’ në Ferizaj, prandaj ky është një shembull ideal për t’iu treguar qytetarëve dhe bizneseve që prodhuesit vendor duhet të përkrahen dhe të konsumohen produktet vendore. Prandaj panairi është në vazhdën e kësaj fryme në mënyrë që çdo ditë në sofrat tona të kemi prodhime vendore dhe në atë formë nxisim dhe e ndihmojmë prodhimin vendor. Pra, këto evente duhet të mbështeten sepse kanë shumë elemente pozitive”, tha Nexhat Hasani.
Në panairin e prodhimeve vendore në “Plus Center” morën pjesë edhe pushtetarë të nivelit lokal dhe atij qendror. Ky aktivitetet u pa nga afër nga kryeministri i vendit Ramush Haradinaj i shoqëruar nga kryetari i Ferizajt Agim Aliu. Këtu nuk mungoi as deputeti nga radhët e Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili njihet për përkrahjen e prodhimeve vendore.
“Deputeti duhet t’i përfaqësoj qytetarët, e qytetarët kanë interes që ekonomia të jetë me çmime sa më të lira për konsum e me punësim sa më të madh për popullsi. Deputetët duhet ta ngrisin zërin në Kuvend lidhur me këtë gjë, por natyrisht që fjalën vendimtare e ka Qeveria e cila duhet të bëj politika në aspektin ekonomik të tilla që e ndihmojnë prodhuesin vendës, por edhe konkurruesin e padrejtë ia parandalojnë. Atë çfarë po e bën tash e shumë vjet Sylejman Neziri është më shumë e më mirë sesa cilado Qeveri dhe shteti në përgjithësi”, tha Kurti.
Panairi i hapur në “Plus Center”, do të mund të vizitohet edhe gjatë ditës së nesërme.