Katër persona të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në restorantin ”Steak House” në Ferizaj, janë dërguar në Turqi për të marrë trajtim të mëtutjeshëm mjekësor për shkak të gjendjes së tyre të rëndë shëndetësore.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar se 2 personat e djegur si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në qytetin e Ferizajt, nuk janë larguar nga lista për dërgim në Turqi, por do të trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të shkallës më të vogël të djegies.
Sipas njoftimit, katër pacientë, që janë vlerësuar nga profesionistët shëndetësor, që janë në gjendje më të rëndë, në bazë të sipërfaqes dhe shkallës së djegies, janë dërguar në qendër të specializuar për trajtimin e këtyre pacientëve ne Turqi.
”Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kanë vepruar konform konsultave me mjekët profesionistë të fushës dhe nuk e kanë hequr askënd nga lista për trajtim jashtë vendit. Në bazë të vlerësimit të gjendjes nga profesionistët shëndetësor, do të shikohet mundësia që edhe këta dy pacientë të dërgohen jashtë vendit për trajtim”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.