Komiteti për Politikë dhe Financa në Ferizaj, ia procedoi disa pika për miratim Kuvendit Komunal, ndër të cilat edhe propozim-vendimin për lirimin apo faljen e pagesave mujore të lokaleve të cilat janë në pronësi të komunës, si dhe krijimin e lehtësirave për qytetarë lidhur me pagesat e obligimeve ndaj komunës, përfshirë edhe lejet ndërtimore.
Për këto propozime të ekzekutivit u diskutua shkurt në këtë mbledhje me arsyetimin se pas plotësim-ndryshimeve që do të ndodhin në to, do të debatohet në mbledhjen e Asamblesë.
Në këtë mbledhje u propozua që të bëhet edhe subvencionimi i pagave të punëtorëve që punojnë në Stacionin e Autobusëve në Ferizaj për muajt nëntor dhe dhjetor në vlerë afër 30 mijë euro, për shkak se kjo ndërmarrje nuk ka arritur të realizojë të hyra të mjaftueshme për kompensimin e të ardhurave mujore të të punësuarëve dhe e njëjta është në gjendje të rëndë financiare si shkas i rrethanave që ka krijuar pandemia COVID-19.
Drejtoresha e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, tha se subvencionimi i pagave në Stacionin e Autobusëve do të bëhet me mjetet e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që ishin të dedikuara për klubet sportive, të cilave pagesa do t’u kryhet në muajin janar të vitit 2021.