Kultivuesit e mjedrës në komunën e Ferizajt, po shprehen të pakënaqur me çmimin e ulët të mjedrës në treg, por përveç çmimit ata ankohen edhe për rendimentet e ulëta të kësaj kulture.
Fehmi Hyseni nga fshati Bibaj i komunës së Ferizajt, i cili ka të mbjella 20 ari mjedra, thotë se me çmimin prej 80 cent, sa shitet një kilogram mjedra, nuk arrin t’i mbuloj as shpenzimet që ka bërë, e lëre më të përfitoj diçka më shumë.
“Fillimi ka qenë shumë i mirë, shumë i frytshëm, mirëpo me reshje të mëdha të shiut janë dëmtuar 50%, rendimentet janë shumë të vogla në krahasim me atë që është pritur, mirëpo krahas rendimenteve na kanë dëmtuar shumë edhe me çmim, çmimi është katastrofë, për momentin flitet se është 80 cent mirëpo edhe ajo nuk është e sigurt sepse këto janë vetëm fjalë të grumbulluesve, Ministria apo Drejtoria e Bujqësisë nuk po ndërmerr asgjë në këtë drejtim, këto fidane janë subvencion i komunave që i kanë dhënë me arsyetim se po punësojmë njerëz, në fakt neve vetëm çka na kanë bërë dëm se ne kemi harxhuar mjete shtesë në kultivimin e mjedrave dhe vetëm çka jemi në humbje”, tha Fehmi Hyseni.
I zhgënjyer për investimin që ka bërë shprehet edhe fermeri Haki Limani.
“Kur kemi nisur me investu na ka premtu shteti vetëm investoni se ka me qenë 2 euro kilogrami i mjedrave, ne kemi investuar këtu mbi 50 mijë euro, me shtylla, tela, bunara, e sistem, edhe vitin e parë ka qenë 1.40, vjet i kemi lanë gjysmën pa i mbledhur se u bë 80 cent, ndërsa tash po presim me e marr ndonjë bager edhe me i ba rrafsh krejt, çka me ba, unë vetëm pesticide e ushqime i kom harxhu mbi 1500 euro edhe punëtorët çka i kam pagu dhe plus tash me i mbledh nuk paguhet as benzina, as punëtori me 70 e 80 cent çmimi, po këtu është manipulimi njerëzve që e kanë licencën për grumbullim, se tek ne në vend nuk ka kontroll, këtu bujku është i shkelur”, tha Haki Limani.
Në komunën e Ferizajt nuk dihet saktë sa hektarë mjedra janë të mbjella, ndërsa pika grumbulluese të kësaj kulture në këtë komunë janë dy.