Punëtorët e kompanisë për mbeturina “Pastërtia” që punojnë në terren, bojkotuan sot punën për shkak se dy kolegë të tyre u larguan përkohësisht nga puna.
Shoferi i kësaj kompanie Agim Krasniqi dhe depoisti Halim Abazi, fajësuan kryeshefin e kësaj kompanie Dugagjin Hetemin, se i ka suspenduar nga puna vetëm pse i kanë kërkuar të drejtat e tyre.
“M’ka qit në rrugë dhe jam detyru me paketë me lyp pare. Dugagjin Hetemi m’ka qit prej punës veç pse e kemi lyp rrogën me na e rrit, stazhin edhe kushtet. Një ditë jemi marrë vesh me bordin, po drejtori s’e ka ngu as bordin, as askënd dhe na ka largu prej punës. Jemi marrë vesh ma herët me punu e në mars me na e hyp rrogën, e na kena dalë kena punu po drejtori s’e ka prit marsin, ne po e presim marsin por ai jo, na ka largu prej punës”, tha Agim Krasniqi.
“Dugagjin Hetemi e ka shkatërru kompaninë, ka punëtorë që 2 muaj ditë nuk kanë dorëza, në këtë kohë pandemie me shku me ngarku bërllok pa dorëza, ka dalë shoferi me automjet pa frena, pa drita. Jemi marrë vesh në javën e kaluar që deri në mars ta vazhdojmë punën, kemi bërë kërkesë për rritje të rrogës, stazhin dhe pagesën shtesë për punën jashtë orarit, ai s’e ka prit marsin na ka suspendu. Unë personalisht nuk jam çu për rrogë, por jam çu me mbrojt nderin e punëtorëve, me të ardhë punëtori me të lyp dorëza edhe mos me i pas, nuk ka ma vështirë“, tha Abazi.
Lidhur me këto akuza drejtori i kompanisë ”Pastërtia” nuk ishte i gatshëm të deklarohet, ndërkaq drejtori i Shërbimeve Publike Arben Halili, thotë se arsyeja e suspendimit të tyre është se e kanë shkelur ligjin e grevës.
“Punëtorët e “Pastërtisë” dy ditë kanë pasur grevë duke mos dalë në terren dhe arsyetimi i tyre është 3 kërkesa që ua kanë dërguar bordit, ato kërkesa janë shqyrtuar bashkërisht edhe me komunën dhe jemi marrë vesh që dy kërkesat e tyre të fillojnë të zbatohen menjëherë, ndërsa rritja e pagave të shqyrtohet në muajin mars për shkak të gjendjes që po kalojmë. Unë garanatoj që asnjë nga punëtorët nuk është pa marrë paga, por siç duket aty ka probleme të caktuara ndaj individëve të caktuar që nuk i kuptojnë ligjet e grevës, sepse punëtorët nuk kanë të drejtë ta bojkotojnë punën në tërësi. Ligji për greva thotë se një orë brenda ditës mund të protestojnë sepse janë shërbime të ndjeshme, andaj konfom këtyre çështjeve menaxhmenti ndoshta ka marrë masa të tilla që për sot nuk jam i njoftuar se çka ka ndodhë”, tha Halili.
Kohëve të fundit janë shtuar pakënaqësitë në kompaninë regjionale të mbeturinave ”Pastërtia”, nga grevat që po mbajnë herë pas here punëtorët e kësaj kompanie Ferizaj po mbulohet nga mbeturinat.