Disa lëndë që kanë të bëjnë me ndërtime në komunën e Ferizajt janë bërë objekt i hetimeve nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, me dyshimin se janë ndërtuar shumëkatëshe pa leje ndërtimore dhe atë me dijeninë e inspektorëve të ndëtimit në këtë komunë.
E, nga hetimet që janë kryer, kryeprokurori i Ferizajt Shukri Jashari ka urdhëruar ngritjen e kallëzimit penal ndaj zyrtarit i cili nuk e ka ekzekutuar vendimin për rrënimin e objekteve pa leje.
“Unë personalisht e kam autorizuar Njësinë e Krimeve Ekonomike për të marrë tërheqjen e dosjeve sa i përket disa objekteve, ndërtimeve që unë kam dyshuar se ka ndërtime pa leje dhe gjatë hetimeve ka rezultuar se disa objekte qysh nga viti 2012 deri në vitin 2017 janë ndërtuar pa leje kështu që kam autorizuar Krimet Ekonomike të cilët kanë tërhequr dosjet dhe në të gjitha dosjet ekziston konkluzioni për rrënimin e etazheve, kështu që pas kryerjes së këtyre hetimeve kam autorizuar që të përpilohet kallëzim penal dhe kallëzimi penal ka ardhur javën e kaluar dhe shumë shpejt do të vendoset sa i përket kësaj çështje. Bëhet fjalë për disa objekte të cilat janë ndërtuar pa leje, në kohën kur janë ndërtuar ato nuk kanë pasur leje dhe për to ka pasur vendim që të ekzekutohen që ka qenë dashtë automatikisht ato me u rrënu, mirëpo zyra për ekzekutimin e vendimeve për rrënim nuk e ka zbatuar atë vendim kështu që jemi detyruar që të përpilojmë kallëzim penal ndaj personit zyrtar“, deklaroi Jashari.
Jashari thekson se për objektet e ndërtuara pa leje do të jap përgjegjësi personi që është marrë me këto punë.
“Praktikisht nuk ka mundësi me u ekzekutu ai vendim për shkak se me ligjin e ri mbi ndërtimin dhe planin zhvillimor hapësinor komuna nuk i ka rrënuar por pret legalizimin e tyre, kështu që nuk ka mundësi të rrënohet kati i tretë e në fakt ai objekt i ka edhe pesë kate të tjera që praktikisht është e pamundur, por që personi përgjegjës që nuk i ka ekzektuar këto vendime ai do të përgjigjet”, tha Jashari.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt tha se nuk kanë qenë në dijeni se në komunën e Ferizajt është duke u ndërtuar pa leje sepse, siç tha ai, nuk do ta kishin lënë kaq gjatë këtë çështje.
Gjatë ditës ne provuam të marrim një qëndrim nga ana e inspektorëve të ndërtimit dhe Drejtorisë së Urbanizimit, mirëpo askush nuk u prononcua për këtë çështje.